Përmirësohet skema për të papunët e COVID – Përfitues edhe ata persona që humbën punën deri më 30 Qershor 2021
Qeveria ka shtyrë me 6 muaj mbështetjen me programet e nxitjes së punësimit për individët që humbën vendin e punës për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Konkretisht bëhet fjalë për ata persona që kanë dale të papunë nga data 10 mars 2020 deri në datën 30 Qershor 2021 dhe që janë në kërkim të një vendi pune. Deri më tani mbështetja e ofruar ka qenë për personat që humbën punën deri në fund të vitit 2020, ndërsa me vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare, mbështetja do të përfshijë edhe ata që u përballën me këto pasoja në vazhdim, deri në muajin Qershor 2021, kjo për shkak se pandemia ka qenë ende aktive dhe kërkohet më shumë mbështetje nga ana e biznesve në këtë drejtim.
Fondet janë në dispozicion për bizneset aplikuese të cilat duhet të jenë të regjistruara, të kenë paguar detyrimet tatimore konform ligjit, të mos kenë shkelur legjislacionin tatimor, të ofrojnë punë me kohë të plotë, për një minimum prej 40 orësh në javë, me një pagesë mujore jo më pak se paga minimale, si dhe të mos jetë jenë debitorë. Ndërkohë qeveria ka shtyrë edhe afatin e zbatimit të kësaj skeme, duke e vendosur 3 vjet nga fillimi i zbatimit të saj, ndërsa ishte deri më 31 dhjetor 2021.
Programi i punësimit është 4, 8 ose 12-mujor, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi. Ndërsa paga përcaktohet në kontratën e punës, në përputhje me pozicionin përkatës dhe nivelin e pagave në treg. Programi subvencionon, për punësimin katërmujor, pagën minimale për 2 muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, dhe kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit. Për punësimin 8 mujor, pagën minimale për 4 muaj dhe kontributet, dhe për programin 12 mujor, mbulon vetëm kostot e sigurimeve të detyrueshme përgjatë gjithë periudhës.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.