Përplasje Berlin – Bruksel – “KE” kërkon superministër të euros, Schaeuble kundërshton
Komisioni Europian dhe ministri gjermani i Financave kanë kaluar tashmë në një përballje totale, sa i përket të ardhmes së Eurozonës. Së fundmi, ishte komisioneri europian për çështjet ekonomike ai që i hodhi benzinë zjarrit.
Ky i fundit deklaroi se, rajoni ka nevojë për një superministër për euron, gjë e cila kundërshtohet nga falkoi gjerman, Wolfgang Schaeuble. Gjithsesi, krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian, për të shmangur kundërshtitë e Berlinit zyrtar, ka ideuar një post të tillë, duke mos i vënë emrin ministër, por përfaqësues i lartë. Praktikisht, puna që aktualisht mbulon Federica Mogherni për çështjet e jashtme dhe sigurinë e Bashkimit Europian.
Ndër të tjera, ky funksionar i ri duhet të ketë edhe përgjegjësi përballë Parlamentit Europian. E ç’ është më e rëndësishmja, ai duhet të ketë mbrapa tij një departament thesari europian. Aktualisht, këtë rol nuk mund ta luajë Banka Qendrore Europiane, e aq më pak mekanizmat e tjerë të unionit. Ministri i ri, ose përfaqësuesi i lartë do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e politikave të bilancit si dhe koordinimin e politikave ekonomike mes vendeve anëtare.
Edhe sa i përket Fondit Monetar Europian, nuk ka asnjë marrëveshje mes Berlinit dhe vendeve të tjera. Franca është në krye të përpjekjeve për të reformuar eurozonën, duke luftuar që të krijojë thesarin dhe fondin monetar europian.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.