“Përplasje” mes kandidatëve europianë-Timmermans: Britania si “Game of Thrones”. Debat mbi populizmin
Gjashtë prej kandidatëve të partive politike europiane për vendin kryesor në Komisionin Europian, që njihen ndryshe si “Spitzenkandidaten”, u përfshinë në një debat këtë javë. Gjatë debatit, zv/Presidenti i Komisionit që po largohet, Frans Timmermans, paralajmëroi për rrezikun e përçarjes nëpërmjet rastit të Mbretërisë së Bashkuar, duke e përshkruar situatën politike atje si të ngjashme me serialin “Game of Thrones”. Holandezi, që është kandidati kryesor i socialistëve, tha se partitë mbarë europiane kanë përgjegjësi për t’i ofruar propozime qytetarëve, që t’i bindin ata për të mbështetur projektin europian.
“Shikoni se çfarë i ka bërë Brexit Mbretërisë së Bashkuar. Sot, Britania duket si seriali Game of Thrones me steroide, dhe kjo vjen prej politikave përçarëse. Për rrjedhojë, kemi përgjegjësi për t’i ofruar propozime qytetarëve që ata t’i rikthehen projektit europian”, ka thënë Frans Timmermans, Zv.Presidenti i Komisionit Europian.
Komisionerja e konkurrencës, Margrethe Vestager, bëri thirrje për luftën kundër “fake news”, në mënyrë që njerëzit të informohen si ç’duhet dhe të jenë brenda debatit real. Aleati i kancelares gjermane Merkel, Manfred Weber, fajësoi rënien e popularitetit të Bashkimit Europian, dhe bëri thirrje për krijimin e një mekanizmi për mbrojtjen e vlerave si dhe aplikimin e sanksioneve kundër shteteve anëtare që nuk respektojnë principet.
“Në përgjigje të Euroskepticizmit, ne duhet të fuqizojmë demokracinë në Europë. Në rastin e Brexit, mesazhi kryesor ishte rikthimi i sovranitetit. Njerëzit nuk ndihen se Europa është e tyre dhe unë dua ta ndryshojë këtë“, është shprehur Manfred Weber, kandidati i PPE.
Anëtari çek i Parlamentit Europian, Jan Zahradil, fajësoi Partinë Popullore Europiane dhe Socialistët, pasi i kanë dhënë shumë fuqi institucioneve europiane. Të gjashtë kandidatët i bënë thirrje europianëve që të votojnë javën e ardhshme, pasi më shumë se gjysma nuk e bëri në vitin 2014.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.