Përse mbyllen dosjet e korrupsionit? – Raporti: Rekord me 1721 procedime në 2018, vetëm 8,6% shkuan në gjykatë
Ndërsa për vitin 2018 ka pasur një numër rekord hetimesh për korrupsion, bie në sy se vetëm pak prej tyre kanë përfunduar në gjykatë.
TV Scan ka zbardhur analizën zyrtare të Këshillit të Ministrave lidhur me hetimet dhe gjykimet e rasteve të korrupsionit, nga e cila mësohet se në total për vitin e shkuar janë hetuar 1721 procedime penale për veprat penale në fushën e korrupsionit, me një numër total prej 372 personash nën hetim. 300 prej këtyre personave kanë përfunduar si të pandehur.
Gjithashtu rezulton se ka një rritje të numrit të çështjeve me 143 çështje më tepër nga një vit më parë, por nga ana tjetër vihet re ulje e numrit të personave nën hetim 26, me persona më pak. Nga ana tjetër ka një ulje prej 32 personash të marrë si të pandehur gjatë hetimit, krahasuar me të dhënat e vitit të kaluar.
Rezulton se për vitin 2018 janë dërguar për gjykim vetëm 148 procedime penale ose rreth 8,6% të rasteve, me 285 të pandehur, krahasuar me vitin 2017, konstatohet rënie e numrit të çështjeve me 112 çështje më pak dhe 30 të pandehur më pak. Për vitin 2018 ka përfunduar gjykimi për 112 çështje penale (për veprat penale kundër korrupsionit) me një numër prej 207 të pandehurish, nga të cilët janë dënuar 165 persona, krahasuar me vitin 2017 ka një ulje prej 146 çështjesh dhe 75 të dënuar më pak.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.