Perspektiva ekonomike botërore – Ifo: Është përkeqësuar prej luftës tregtare Kinë-SHBA
Perspektiva ekonomike në të gjithë botën është përkeqësuar ndërkohë që përplasjet tregtare mes SHBA dhe Kinës kanë marrë vrull. Instituti i hulumtimeve ekonomike në Gjermani, Ifo, bëri të ditur në sondazhin tremujor ndaj 1,200 ekspertëve se treguesit aktual dhe për të ardhmen janë përkeqësuar në tremujorin e tretë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha në javën e kaluar se nuk është gati për të ndërmarrë një marrëveshje tregtare me Kinën, duke rritur trazirat në tregjet financiarë. Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë destinacione të rëndësishme të eksporteve për prodhuesit gjermanë, e për rrjedhojë, tarifat tregtare po ndikojnë te ekonomia gjermane.
Gjermania, që është ekonomia më e madhe e Europës, pritet të jetë tkurrur në tremujorin e dytë dhe treguesit për të ardhmen nuk sugjerojnë ndonjë rimëkëmbje në të tretin. Zyra Federale e Statistikave në Gjermani do të publikojë të dhënat paraprake mbi Produktin e Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë gjatë kësaj jave dhe analistët presin një tkurrje me 0.1%.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.