Perspektiva ekonomike rajonale – FMN: Ekonomia e Europës, më e fortë, Brexit mbetet kërcënim
Ekonomia e Europës ndodhet në një periudhë të artë, megjithatë, një shkëputje e ashpër e Britanisë do të rezultojë në rritje më të ngadaltë për të dy palët, deklaron Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Në raportin e fundit mbi perspektivën rajonale, që merr në analizë më shumë se 40 vende, përfshirë Turqinë dhe Rusinë, FMN bën të ditur se rimëkëmbja aktuale po bëhet gjithnjë e më e sigurtë. Kjo po nxitet pjesërisht nga stimujt monetar dhe normat e ulëta të interesit nga banka qendrore, por edhe prej përmirësimit të investimeve në shumë ekonomi.
“Rritja ekonomike në Eurozonë ka qenë pozitive për 18 tremujorë, së fundmi në rreth 2.5%. Shumë vende në Europën Lindore kanë patur rritje sipër 3%-shit për disa kohë. Për rrjedhojë kjo rimëkëmbje nuk është vetëm e përhapur gjerësisht por edhe më e fortë”, deklaron Fondi.
Sipas FMN, qasja e kujdesshme e Bankës Qendrore Europiane ka qenë kontribuese. I vetmi rrezik në horizont qëndron Brexit dhe lloji i marrëdhënies tregtare që Britania do të arrijë pas daljes nga 27 anëtarët e mbetur. Pritshmëritë e FMN qëndrojnë për arritjen e një marrëveshjeje tranzitore.
Drejtori i departamentit për Europën, Joerg Decressin, dha gjithashtu mbështetje për planin e konvertimit të Mekanizmit Europian të Stabilitetit në një huadhënës në periudha të krizave të ngjashëm me FMN.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.