Perspektiva për ekonomitë aziatike – Banka Aziatike për Zhvillim rrit projeksionet për rajonin
Banka Aziatike për Zhvillim ka rritur projeksionet e rajonit për këtë vit dhe për vitin 2018, për shkak të fuqizimit të eksporteve, ndërkohë që prodhuesit e smartfonave, makinave dhe mallrave të tjera të konsumit kanë përfituar nga përmirësimi i kërkesës globale.
Azia në Zhvillim, e përbërë nga 45 vende në rajonin e Azi-Paqësorit, pritet të rritet me 5.9% këtë vit dhe 5.8% në 2018-ën, deklaron institucioni, duke rritur projeksionet e mëparshme. Përmirësimi i kërkesës globale që prej fundit të vitit 2016, i ka dhënë vrullin e duhur ekonomive të varura nga tregtia në Azi.
Përditësimi i Bankës Aziatike për Zhvillim, ka rritur projeksionet për ekonominë kineze në 6.7%, gjatë këtij viti dhe 6.4% në vitin e ardhshëm, kryesisht nga konsumi i fortë dhe dërgesat më të mëdha të mallrave.
Ekonomia kineze theu pritshmëritë për tremujorin e dytë, duke u rritur me 6.9%, nxitur kryesisht nga eksportet e forta dhe prodhimi. Këta kontribuues të rritjes mund të shtojnë tensionet mbi tregtinë me Shtetet e Bashkuara.
Analistët e Bankës Aziatike për Zhvillim thonë se, ekonomitë janë të pozicionuara mire, për goditje të mundshme në të ardhmen. Inflacioni në rajon pritet të qëndrojë nën kontroll, nxitur nga çmimet e ushqimeve dhe karburanteve. Megjithatë, institucioni uli projeksionet për nivelin e çmimeve në rajon, në 2.6% nga 3% që vlerësohej më parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.