Pezull marrëveshja me Greqinë – Nuk arrihet në fundjavë, shkak përplasjet FMN-Eurozonë
Greqia dhe kreditorët kanë bërë progres të ndjeshëm në negociata. Athina ka përmbushur kërkesat kyç të huadhënësve, por ka shumë pak gjasa që në takimin e Eurogrupit të Premten në Maltë të ketë një marrëveshje, shprehen zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër, ministri gjerman i financave, Wolfgang Schaeuble, deklaroi se, marrëveshja me Greqinë do të vijë në harkun e pak ditëve. “Falkoi” gjerman shtoi se, ministrat e financave të Eurozonës mund të dakordësohen gjatë këtij takimi për pikat kyçe si dhe për një projeksion të përbashkët të ekonomisë helene.
Kjo do të thotë se, këtë fundjavë nuk do të ketë marrëveshje, ashtu siç shpresonte Athina zyrtare. Marrëveshja mbetet peng i thyerjes mes vetë huadhënësve në drejtim të suficitit primar të Greqisë për vitin e ardhshëm.
Huadhënësit nuk ndajnë të njëjtin mendim në lidhje me këtë. Institucionet e Eurozonës besojnë se Greqia do të mbajë një suficit primar në 3.5%, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar është skeptik. Marrëveshja mes palëve do të zhbllokonte këstin e radhës së huasë për Greqisë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.