Pezullimi i lejeve mjedisore – Çuçi: Nuk përmbushnin detyrimet administrative. 31 janë revokuar, 19 të pezulluara
Pas akuzave nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe Shoqata e Ricikluesve mbi vendimin e Inspektoratit të Mjedisit për pezullimin e lejeve të disa bizneseve, duke e quajtur të jashtëligjshëm, vjen reagimi i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Për televizionin SCAN zëvendësministrja, Ornela Çuçi, sqaroi se deri më tani janë revokuar 31 leje mjedisore, ndërsa 19 subjekteve u janë pezulluar këto leje për shkak se nuk përmbushnin detyrimet administrative dhe nuk kanë bërë vetëdeklarimet.
Çuçi shtoi se nuk është qëllimi dëmtimi i sipërmarrjeve por zbatimi i kritereve të vendosura sipas tipit të lejes së lëshuar .
Lidhur me incineratorët, zëvendësministrja shtoi se do të incinerohen vetëm mbetjet që nuk shkojnë për riciklim dhe nga kjo do të përfitohet energji e rinovueshme
Më herët bizneset kërkuan të ndalet pezullimi i lejeve duke cilësuar si aksion represiv dhe diskriminues ndaj subjekteve private dhe të hapet rruga e dialogut, në rast të kundërt ata paralajmëruan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.