Pezullohet aeroporti i Vlorës!Situata me COVID-19/ Pezullimi, pas 2 shtyrjeve për dorëzimin e ofertave
Situata e krijuar nga përhapja e koronaviursit të ri, duket se ka ndikuar edhe në garën ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Pas 2 shtyrjeve të mëparshme, tashmë gara është pezulluar, ndërkohë që nuk dihet se kur do të rihapet për kompanitë e interesuara.
Me hapjen e agarës, afati fillestar për pranimin e ofertave ishte data 13 mars, ndërkohë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vendosi fillimisht datat 30 mars dhe 21 prill në dispozicion të kompanive të interesuara.
Por, duke qenë se për situatën e krijuar nga CODIV-19 nuk ka një parashikim se kur mund të përfundojë, duket se Ministria ka vendosur ta pezullojë procedurën. Praktikisht, kjo do të sjellë edhe një ndryshim në drejtim të fillimit të punimeve, që Ministria e Infrastrukturës dhe Enegjisë synonte të ishin në datën 31 maj.
Aeroporti i Vlorës është një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, përmes të cilit qeveria synon të rrëzojë monopolin e aeroportit të Rinasit, duke sjellë dhe një ulje të çmimit të biletave. Ndërtimi parashikohet të kryhet përmes një partneritetit publik-privat, ku fillimisht kompania fituese do të duhet të kryejë investimin , ndërsa do të ketë të drejtën e operimit për një periudhë 35-vjeçare.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.