Pezullohet koncesioni i karburanteve – Komisioni i Prokurimit Publik: Ka ankesë nga operatorët
Komisioni i Prokurimit Publik ka pezulluar garën për dhënien me koncesion të shërbimit të kolaudimit të pompave të karburanteve. Burime pranë këtij institucioni bëjnë me dije për TV SCAN se kjo është një procedurë standarde, që ndiqet në rastin kur pranë këtij dikasteri depozitohen ankesa nga operatorët ekonomikë, që janë të interesuar për të marrë pjesë në garë. Kjo do të thotë se vendimi për pezullim bazohet në ankesën e kompanisë ndërkombëtare Penzoil Trading SA , e cila në një reagim për TV SCAN tha se ankesa erdhi si pasojë e kushteve dhe kërkesave që duhet të plotësojnë kompanitë pjesëmarrëse, duke i konsideruar si diskriminuese kryesisht për kompanitë ndërkombëtare.
“Kjo është arsyeja që ne iu drejtuan me një kërkesë autoritetit kompetent, që është Komsioni i Prokurimit Publik, por detajet e ankesës tonë nuk mund të bëhen publike në këtë moment sepse ajo duke u shqyrtuar nga autoritetet kompetente”, – shtoi kompania në reagimin e saj. Ndërkaq, burimet nga Komisioni i Prokurimit Publik shtojnë se vendimi për pezullimin e garës merret në momentin që vihen re arsye për të mos vazhduar procedura sepse ankuesi mund të ketë të drejtë.
Kjo është arsyeja që fillimisht ky dikaster del me vendimin për pezullim, derisa të merret vendimi përfundimtar ku mund t’i jepet të drejtë operatorit që ka depozituar ankesën ose autoritetit kontraktor, i cili në këtë rast lejohet të vazhdojë garën. “Për pezullimin njoftohet përmes postës autoriteti kontraktor, që në këtë rast është Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia e Prokurimit Publik dhe operatori ekonomik që ka depozituar ankesën”,-shtuan burimet.
Dhënia me koncesion e shërbimit të kolaudimit të pompave të karburanteve është kritikuar nga ekspertët, por edhe operatorët e karburanteve në treg. Kreu i shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj që përfaqëson këta të fundit deklaroi për SCAN se kostot që mund të vijnë nga rritja e tarifave për këtë shërbim do të transferohen në çmimin e karburantit, ndërkohë që në kriteret e garës Ministria nuk vendos asnjë kufi për tarifat që do të aplikojë koncesionari, duke iu lënë atyre dorë të lirë. Nga ana tjetër, ekspertë të fushës argumentuan se kjo mund të sjellë edhe dëmtim të konkurrencës në treg, duke mos përjashtuar marrëveshjet pjesore mes koncesionarit dhe operatorëve të karburanteve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.