Pezullohet TEC-i Vlorës – Ministria nuk hap ofertat e koncesionit 59 mln euro, “mister” arsyet
Pas shtyrjes 10 ditore të afatit të dorëzimit të ofertave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pezulluar për 10 ditë të tjera koncesionin e Termocentralit të Vlorës. Sipas afatit të ri, hapja e ofertave nga kompanitë e interesuara për vënien në punë të kësaj vepre energjetike duhej të bëhej në datën 10 mars, por burime konfidenciale pranë dikasterit të energjisë, bëjnë me dije për TV SCAN se hapja e tyre nuk është bërë, ndonëse zyrtarisht nuk ka një anulim të koncesionit.
Nuk dihet se cilat janë arsyet për pezullimin e kësaj gare, që është konsideruar si tejet e rëndësishme për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë. Ndërkohë që, shtyrjen e parë të afatit të dorëzimit të ofertave ministria e argumentoi me ndryshimet e drejtuesve që u bënë së fundmi në institucion, që përfshinë ndër të tjera dhe largimin e drejtoreshës së koncesioneve Etleva Kondi, e cila në këtë rast ishte edhe personi përgjegjës. Praktikisht, hapja e ofertave duhet të ishte bërë në datën 28 shkurt, por me zhvillimet e fundit minimalisht deri në datën 20 mars nuk do të mund të kemi një përgjigje nëse zhvillimi i kësaj gare do të rezultojë e suksesshme.
Që prej ndërtimit të tij, TEC-i Vlorës nuk është vënë në punë për shkak të problemeve teknike, ndërkohë që me këtë koncesion Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpreson lidhjen e kësaj vepre energjetike me gazin, si e vetmja mënyrë e vlerësuar nga studimi i fizibilitetit dhe ekspertët ndërkombëtarë për ta vënë në punë. Sipas studimit të fizibilitetit, vlera e koncesionit për rehabilitimin dhe vënien në funksion të Termocentralit të Vlorës pritet të jetë 72 mld lekë apo rreth 59 mln euro.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.