“Pfizer të respektojë kontratat!” – BE fajëson vonesat e vaksinave. Paralajmëron për veprime ligjore
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha se Europa do t’i bëjë thirrje kompanive të farmaceutikës që të respektojnë kontratat që kanë nënshkruar për furnizimin me vaksina të Covid-19. Kjo vjen ndërkohë që Pfizer dhe BioNTech lajmëruan së fundmi një vonesë në dërgimin e vaksinave në Europë, për shkak të problemve me prodhimin. Gjiganti britanik i farmaceutikës, AstraZeneca lajmëroi gjithashtu javën e kalaur se do të dërgojë më pak doza të vaksinës së Covid-19 në BE, për shkak të problemeve me zinxhirin e furnizimit. “Ne planifikojmë t’i bëjmë kompanitë që të respektojnë kontratat që kanë nënshkruar dhe presin gjithashtu transparencë, duke përdorur të gjithë mjetet ligjore në dispozicion”- tha Michel.
Megjithatë, ai nuk përmendi ndonjë gjobë të mundshme por këmbënguli që Pfizer të jetë transparent me arsyen e vonesave. Michel tha se pas lajmërimit të aprë të Pfizer mbi vonesat në dërgesa, BE kishte ndërmarrë një qasje të ashpër ndaj reduktimit të këtyre vonesave.
Më 15 Janar, 6 ministra të shëndetësisë nga Suedia, Danimarka, Finlanda, Lituania, Letonia dhe Estonia, nënshkruan një letër ndaj Komisionit Europian, për të shprehur shqetësime në lidhje me vonesat dhe për t’i bërë presion Pfizer dhe BioNTech që të respektojë afatin dhe transparencën. Italia paralajmëroi në fundjavë se do të zbatojë kundërmasa ndaj vonesave në vaksinat e koronavirusit që i quajti të papraneushme. Polonia ka kërcënuar gjithashtu për veprime ligjore kundër kompanive, prej shtyrjes së afatit të dërgesave.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.