Pikëpyetjet e koncesionit të karburanteve – Komisioni i Prokurimit Publik “zvarrit” përgjigjen, shkel çdo afat ligjor
Komisioni i Prokurimit Publik nuk ka marrë ende një vendim mbi ecurinë e garës së dhënies me koncesion të shërbimit të kolaudimit të pompave të karburanteve, duke shkelur çdo afat të përcaktuar me ligj.
Gara për privatizimin e këtij shërbimi, që aktualisht kryhet nga Drejtoria e Metrologjisë u hap në datën 18 shtator, nga Ministria e Financave, por ajo u pezullua pas ankesës së depozituar nga kompania ndërkombëtare Penzoil Trading SA.
Kjo kompani i konsideroi si diskriminuese kërkesat që duhet të plotësojnë operatorët e interesuar, ndërkohë që zyrtarisht ankesa është regjistruar në datën 28 shtator 2018.
Sipas legjislacionit aktual, shqyrtimi i një ankese, duke të kryhet brenda një afati 30 ditor, por në këtë rast Komisioni i Prokurimit Publik ka tejkaluar çdo afat, duke lënë pezull një nga koncesionet më të debatuara, por edhe të kundërshtuara nga ekspertët, të cilët kanë argumentuar se privatizimi do të pasohet nga rritjen e çmimit të karburanteve dhe dëmtim të konkurrencës në treg.
Edhe operatorët e tregut kanë deklaruar se rritja e çmimit nuk përjashtohet, përsa kohë në kriteret e përzgjedhjes së koncesionarit nuk është përfshirë çmimi i ofrimit të shërbimit, duke i lënë dorë të lirë këtij të fundit të vendosë vetë tarifën e shërbimit.
Aktualisht gara është pezulluar, ndërkohë që në bazë të vendimit që duhet të shpallë Komisioni i Prokurimit Publik do të përcaktohet nëse do t’i jepet të drejtë operatorit që ka depozituar ankesën ose autoritetit kontraktor, i cili në këtë rast lejohet të vazhdojë garën.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.