Pirelli rilistohet në Milano – Rikthehet pas blerjes nga kinezët, dita e parë e tregtisë zhgënjen
Prodhuesi italian i gomave, Pirelli, është rikthyer në bursën e Milanos pas një mungese 2 vjeçare që rezultoi prej blerjes nga kompania kineze e kimikateve, “ChemChina.
“Mendoj se tregu duhet parë në javët e ardhshme dhe jam i sigurt që do të kemi rezultate pozitive”, tha kreu i kompanisë, Marco Tronchetti, ndërkohë që sesioni i parë tregtar rezultoi zhgënjyes.
Pirelli e çmoi ofertën fillestare publike në 6.5 euro për aksion, duke e vlerësuar në 6.5 miliardë euro prodhuesin e gomave për ekipet garuese të Formula 1 dhe markave të famshme si BMW, Audi dhe Mercedes.
Ky çmim anonte drejt nivelit më të ulët të segmentit prej 6.3-8.3 euro për aksion. Aksionet e kompanisë ranë me 1.7% në 6.39 euro.
Tregtarët thanë se aksioni është vlerësuar shumë lartë e për rrjedhojë po hapen pozicione për shitje.
Rilistimi në Milano do të testojë kërkesën për firmën që fokusohet drejt konsumatorëve që kërkojnë cilësi, ndërkohë që biznesi më pak fitimprurës i gomave për kamionë dhe industriale kaloi te kompania kineze.
Pavarësisht se është një nga emrat më të njohur të korporatave në Itali, investitorët patën shqetësime, kryesisht për borxhin e madh të firmës dhe strukturës komplekse të qeverisjes.
Pirelli është tregtuar prej kohës në bursën e Milanos, por u ç’listua në 2015-ën, pasi kompania shtetërorë ChemChina mori 65% të aksioneve të Marco Polo, kompanisë që zotëron prodhuesin e gomave.
Nëpërmjet ofertës publike fillestare, kinezët ulën zotërimin në 45%, duke treguar se Pekini ka një qasje korporative të investimeve në Europë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.