Piro Lutaj prezantohet si drejtor i ri i Përmbarimit Shtetëror! Ministrja e Drejtësisë nënvizon nevojën për ristrukturim të shërbimit
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj prezantoi drejtorin e ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit Shtetëror, Piro Lutaj. Lutaj më herët ka mbajtur mandatin e deputetit dhe të anëtarit të Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Gjatë prezantimit në zyrat e Përmbarimit të Tiranës, ministrja e Drejtësisë, Gjonaj vlerësoi maksimalisht figurën e Piro Lutajt, duke u ndalur në kontributet e tij profesionale. Në fjalën e saj Ministrja Gjonaj tha se me emërimin nga kryeministri Rama të Piro Lutaj, synohet të rritet performanca në këtë institucion, që kohët e fundit ka regjistruar përqindje të ulët të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
Ministrja e Drejtësisë nënvizoi nevojën për strukturim që ka ky shërbim. “Do të jetë pikërisht analiza vjetore e punës së këtij institucioni si dhe vlerësimi që pritet të dalë nga grupet e inspektimit, për të përcaktuar hapat e nevojshëm që do të ndërmerren për të ndryshuar imazhin dhe punën e këtij institucioni” shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit Shtetëror, Piro Lutaj u angazhua maksimalisht për të arritur rezultatet e pritshme. Zoti Lutaj kërkoi bashkëpunimin e ngushtë dhe reflektim nga stafi, për të qenë bashkëudhëtarë të suksesshëm në këtë rrugëtim të ri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.