Plan shpëtimi për industrinë e avionëve – Emmanuel Macron zbulon të martën paketën që do të shpëtojë “airbus”
Një ndër sektorët më të goditur nga pandemia është pikërisht ai ajror. Për shtetet si Franca që kanë një varësi të lartë ekonomike nga kjo industri, gjërat parashikohen të jenë të vështira. Për këtë arsye, qeveria franceze ka bërë gati një plan shpëtimi për këtë sektor, pra industrinë aerohapësinore. Plani i shpëtimit përfshin incentiva për të prodhuar avionë më pak ndotës, rritje të subvencioneve për orët e punës si dhe para për të zhviluar karburant bio për avionët.
Detajet e paketës do të bëhen me dije nga Presidenti Emanuel Macron në fillim të javës së ardhshme. Duke qenë se sektori ka rëndësi jetike për ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës pritshmëritë për këtë paketë janë po aq të larta. Së fundmi, ministri francez i financave, Bruno Le Maire u shpreh se qeveria franceze do të garantojë porositë e bëra për “Airbus”, duke shmangur kështu anulimet e porosive, në kuadër të planit të shpëtimit të industrisë.
Pra, shteti do të dal garant për 1 vit që nga blerja e avionit. Paketa nuk do të prekë vetëm Airbus, që ndër të tjera është krenaria europiane, por do të prekë edhe qindra furnitor të tjerë, të cilët këto muaj kanë parë aktivitetin e tyre ekonomik të “thahet” fare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.