Planet Vendore, Gjermeni: Po përgatitet udhëzimi për zbatimin e tyre. Lehtësitë që u krijohen bashkive
Ministria e Zhvillimit Urban dhe USAID përmbyllën miratimin e pesë planeve të para të përgjithshme vendore në Shqipëri.
Në një aktivitet të mbajtur sot u nënvizua edhe njëherë se planet nuk janë vetëm dokumentet teknike, por përbëjnë një qasje të rëndësishme strategjike për të përfshirë aktorët kryesorë lokale në zhvillimin e komuniteteve të tyre.
“Ministria e Zhvillimit Urban është duke përgatitur aktualisht një udhëzim për mënyrën dhe procedurat e zbatimit të Planeve të Përgjithshme Vendore që po miratohen, më qëllimin që t’u vijë në ndihmë Bashkive për çështje që kërkojnë bashkërendim me institucionet qendrore. Udhëzimi fokusohet, në mënyrë të veçantë, në trajtimin e procedurave që lidhen me zhvillimet urbane, të parashikuara nga planet në tokë bujqësore dhe zonat e rëndësisë kombëtare. Vlerësojmë se ky udhëzim do të lehtësojë punën e bashkive dhe do të forcojë bashkërendimin institucional, në nivel qendror dhe vendor, për zbatimin e planeve të miratuara, duke bërë sa më të ndjeshëm impaktin e planifikimit hapësinor në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha ministrja Gjermeni në fjalën përshëndetëse.
Planet e Përgjithshme Vendore, të cilat brenda vitit 2017 do t’i kenë 43 bashki në vend, krijojë parakushtet për zhvillim të mirë të qytetit.
Këto plane shërbejnë gjithashtu, si një platformë që u mundëson grupeve të interesuara të mbajnë bashkitë të përgjegjshme dhe të sigurojnë që vendimet për zhvillimin e qytetit janë marrë në mënyrë transparente dhe kostoja e përfitimet nga këto zhvillime janë të njohura për publikun e gjerë.
Që nga fillimi i vitit 2015 USAID ka mbështetur 5 bashki për përgatitjen e planeve të përgjithshme vendore duke organizuar mbi 63 konsultime publike dhe fokus grupet me mbi 550 aktorë lokalë.
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.