Plani “B” i Brexit – Parlamenti do të debatojë më 29 Janar për alternativat
Theresa May është e gatshme të heqë dorë nga kushte ndërkohë që synon të arrijë në konsensus për planin e Brexit, që parlamenti të mund ta votojë.
Ajo nisi bisedimet me partitë e tjera, por, lideri i opozitës Jeremy Corbyn, po i bojkoton. Shfaqja e radhës do të jetë dita e Hënë, kur Theresa May të rikthehet në parlament me një plan B.
Liderja e dhomës së ulët në parlament, Andrea Leadsom, lajmëroi se votimi për opsionet e mundshme të Brexit do të zhvillohet më 29 Janar, 2 muaj përpara se Britania të dalë nga Bashkimi Europian. Kjo do të lejojë deputetët që të shprehin preferencat e tyre për Brexit.
“Konfirmoj se një deklaratë dhe një mocion për hapin e radhës së Qeverisë nën seksionin 13 të aktit të daljes nga Europa, do të prezantohet ditën e Hënë. Debati i plotë për mocionin do të zhvillohet më datë 29 Janar dhe do të jetë subjekt i miratimit nga parlamenti”, Andrea Leadsom.
Ndërkohë, lideri i opozitës, Jeremy Corbyn, dha mbështetjen më të fortë deri më tani për zhvillimin e një referendumi të dytë, për të zgjidhur Brexit.
“Nëse mbështetja e opsionit të laburistëve bllokohet, atëherë detyra jonë do të jetë gjetja e alternativave, përfshirë votimin në publik”, tha Corbyn.
Sipas tij, bisedimet e Theresa May janë të pasinqerta për shkak se ajo po refuzon perspektivën e një daljeje pa marrëveshje.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.