Plani i Macron për të shkatërruar establishmentin francez qytet më qytet
Emmanuel Macron nuk ka përfunduar ende me establishmentin francez. 41-vjeçari la mënjanë dy partitë kryesore të vendit kur u zgjodh president në vitin 2017. Humbjet e mëtejshme në zgjedhjet europiane të muajit të kaluar i lanë republikanët dhe socialistët në grindje. Tani Macron dëshiron t’i dëbojë ata nga sallat e bashkive në të gjithë Francën.
Votuesit nuk do të mund të shprehin pëlqimin e tyre deri në zgjedhjet komunale të vitit të ardhshëm. Por ministrat dhe ligjvënësit që braktisën establishmentin për t’u bashkuar me lëvizjen qendrore të Macronit, po bëjnë thirrje publike zyrtarëve lokalë që të ndjekin shembullin e tyre. Republikanët ishin ata që u ndikuan më shumë me plot 72 kryetarë komunash dhe anëtarë të këshillit të qytetit, të cilët nënshkruan një premtim besnikërie ndaj Macron. Një prej tyre është Luc Brouard, kryebashkiak i La Roche-sur-Yon, një qytet me 55,000 njerëz në Francën perëndimore.
“Republikanët nuk janë më në gjendje t’i japin këtij vendi atë që i nevojitet”, tha Brouard në një intervistë. “Kjo qeveri është. Dhe duhet të mbështetet.” Sallat e qytetit nuk mund të vendosin politikën kombëtare, por ka ende shanse për partinë e Macron në votimin e saj të parë lokal. Republika në Lëvizje, u krijua si një mjet personal për fushatën presidenciale të Macron. Kjo ndihmon për të shpjeguar pse ai u revoltua nga taksat e naftës dhe kufijtë e shpejtësisë që shkaktuan protestën e ‘Jelekëve të Verdhë’ në fund të vitit të kaluar. Përgjigja e Macron për këtë ishte ndryshimi i shpejtësisë së lejuar, ulja e taksave për klasat e mesme si dhe zhdukja e elitës franceze.
Në Francë ka rreth 35,000 komuna, krahasuar me 8,000 në Itali dhe 6,000 në Gjermani. “Francezët i duan kryebashkiakët e tyre, dhe është pikërisht aty, vendi ku partitë fitojnë legjitimitetin e tyre”, tha Nicholas Dungan, një anëtar i lartë në Këshillin Atlantik, i cili jep mësim mbi Macron në Institutin Shkencave të Parisit. Republika në Lëvizje, e njohur si LREM në frëngjisht, ka emëruar një panel prej 16 personash për të kandiduar në zgjedhjet komunale, të cilat priten në pranverë të vitit 2020. Në përputhje me mantrën e saj as të majtë as të djathtë, paneli ka dy bashkë-presidentë, një ish-republikan dhe një ish-socialist.
Burimi: Bloomberg
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.