Plani i Turqisë për krizën – Ulen objektivat e rritjes, premtohet shkurtimi i shpenzimeve publike
Ministri turk i Financave uli objektivat e rritjes ekonomike të vendit dhe premtoi shkurtimin e shpenzimeve publike me rreth 10 miliardë dollarë, ndërkohë që vendi kërkon të luftojë krizën e valutës.
Berat Albayrak, i cili është dhëndri i Presidentit Recep Tayyip Erdogan, tha se rritja e Produktit të Brendshëm Bruto do të arrijë në 3.8% në vitin 2018 dhe 2.3% në 2019-ën, krahasuar me 5.5% që synohej më parë.
Në përpjekje për të qetësuar investitorët, ministri premtoi se do të shkurtojë projektet në infrastrukturë, që zënë një pjesë të madhe të shpenzimeve Qeveritare.
“Disa prej projekteve që nuk janë tenderuar do të pezullohen. Projektet e mëdha në infrastrukturë do të implementohen me financim ndërkombëtar”, tha ai.
Ministri shtoi se deficiti buxhetor do të arrijë në 1.9% të PBB këtë vit dhe 1.8% në 2019-ën. Objektivi për inflacionin këtë vit u rrit në 20.8% dhe pritet të bie në 15.9% vitin tjetër.
Lira turke ka humbur rreth 40% të vlerës kundër dollarit që prej nisjes së këtij viti, prej shqetësimeve të investitorëve mbi gjendjen ekonomike të vendit. Plani ekonomik erdhi 1 javë pasi Banka Qendrore e Turqisë fitoi besim nga investitorët duke rritur normat e interesit, pavarësisht kundërshtimit nga Erdogan.
Albayrak tha se do të zbatohen gjithashtu praktika të partneritetit publik-privat, që janë rekomanduar nga FMN, si dhe një rishikim i skemës së sigurimit social. Ai tha se bankave do t’i ushtrohet një “studim i vlerësimit të shëndetit”, për të identifikuar strukturën financiare dhe cilësinë e aktiveve.
Investitorët shpresonin që ministri të lajmëronte krijimin e një “banke të keqe”, që të transferonte kreditë me probleme te shteti.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.