Plas në Itali “lufta” mes taksistëve dhe konsumatorëve për ndryshimin në ligj që i hap rrugë Uber-it
Nga Torino deri në Romë, mijëra taksistë kanë dalë në protestë duke paralizuar trafikun në qendrat më të mëdha të vendit. Ata kundërshtojnë një ndryshim në ligj që pritet të aprovohet në Senatin italian në Palazzo Madama.
Amendamenti në ligjin e transportit publik, u hap rrugën shërbimeve si Uber për t’u shtrirë edhe në Itali, çka do të ishte një goditje fatale për taksitë.
Ishin me qindra taksitë protestuan përpara senatit në Romë, ndërsa edhe makinat që qëndronin në aeroport janë larguar për t’iu bashkuar protestës.
Sipas taksistëve, përveç konkurrencës së pandershme, ndryshimi në ligj do të hapte rrugën për një sërë sjelljesh abuzive në sektorin e transportit.
Shoqatat e taksive në të gjitha qytetet kanë kërkuar takime urgjente me prefekturat.
Lëvizja “Cinque Stelle” është shprehur kundër këtij ndryshimi, ndërsa kryetarja e Bashkisë së Torinos, pjesë e këtij grupimi politik, mori pjesë në një takim me shoferët. “Jemi përkrah jush”, u shpreh Chiara Appendino.
Ndërkaq, disa shoqata të konsumatorëve, janë shprehur pro hapjes së tregut. “Normativa aktuale nuk lejon asnjë formë konkurrencë inovative. Ja pse legjislatorët, nuk duhet të ndikohen nga protestat e zakonshme nëpër sheshe të taksistëve dhe të bëjnë punën e tyre”, tha Massimiliano Dona, presidenti i Unionit Kombëtar të Konsumatorëve.
“Asnjë normë e re nuk i dëmton taksistët, thjesht rregullohen shërbimet teknologjike, që lejojnë plotësimin e një kërkese në treg. Të rinjtë i përdorin shumë pak taksitë dhe preferojnë platformat e sharing. Nëse nuk bëjmë ofertën më të larmishme, kjo kërkesë do të mbetet e paplotësuar” shprehet ai.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.