“Platforma 1 mld euro” – Bankat: Pozitive, por mos prisni ta financojmë vetëm ne
Bankat mirëpresin plaformën e investimeve përmes partneritetit publik privat, të quajtur simbolikisht platforma 1 miliard euro. Në një intervistë për Tv Scan, sekretari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, thotë se çdo projekt që mund t’i japë nxitje ekonomisë dhe të përmirësojë infrastrukturën e vendit në parim duhet të jetë i mirëpritur.
Megjithatë, Shoqata e Bankave shprehet se, duke e marrë të mirëqenë se kjo platformë do të arrijë përmasat e 1 miliardë eurove, nuk mund të pritet që ajo të financohet e gjitha nga sistemi bankar në vend. Sipas tij, asnjë bankë nuk mund të financojë shuma kaq të mëdha në pak projekte, qoftë për shkak të mundësive, qoftë për shkak të kufizimeve rregullatore që ekzistojnë në përqendrimin e ekspozimit në klientë apo projekte të veçanta. Zoti Brumbulli thotë se pjesa dërrmuese e financimeve duhet të vijnë nga fondet e sektorit privat ose duke kërkuar burime alternative financimi, kryesisht jashtë vendit.
Shoqata e Bankave thekson edhe njëherë mospajtimin me tarifat e reja të shërbimit përmbarimor privat. Që nga muaji qershor, bankat e kanë bojkotuar shërbimin e përmbaruesve privatë dhe kërkojnë ndryshimin e udhëzimit që, sipas tyre, bie në kundërshtim të plotë me frymën e ndryshimeve në ligj, duke vendosur tarifa tejet të larta fikse për shërbimin e përmbaruesve.
Duke folur për nevojën e rritjes së kreditimit, zoti Brumbulli shprehet se bankat po i përgjigjen kërkesës së tregut, por, deri tani, kjo kërkesë kryesisht konsiston në financime afatshkurtra, për mjete qarkulluese. Sipas tij, nëse sektori privat do të sjellë projekte interesante investimi, ato patjetër që do të gjejnë mbështetje, por, njëkohësisht theksoi nevojën për më shumë diversifikim sektorial të portofolit të kredisë.
Shoqata e Bankave mbështet sinjalet e Bankës së Shqipërisë për zgjatjen e kursit lehtësues të politikës monetare. Sipas zotit Brumbulli, ekonomia ka ende nevojë për stimulin monetar, derisa të arrijë nivelet e rritjes potenciale.
Rritja më e mirë ekonomike, normat e favorshme të interesit dhe ulja e kredive me probleme po favorizojnë ritme më të mira të kreditimit gjatë këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë të vitit kredia u rrit mesatarisht me 3.1%, edhe falë një përmirësimi në huadhënien për biznesin. Sidoqoftë, bankat shprehen se ende kërkesa e sektorit privat është e zbehtë, sidomos për kredi afatgjatë, ndërsa kërkojnë më shumë përpjekje për të sheshuar pengesat që frenojnë kreditimin, si informalitetin në ekonomi, problemet në sistemin e drejtësisë dhe të regjistrimit të pronës apo kostot e larta të shërbimit përmbarimor.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.