Platforma online e bashkëqeverisjes – Rama qytetarëve: Përdoreni për t’u kërkuar interpelancë ministrave
Platforma online e bashkëqeverisjes u krijon mundësinë qytetarëve të kërkojnë interpelanca me titullarët e institucioneve qeveritare. Në zyrën e bashkëqeverisjes me qytetarët, ku u përdor për herë të parë platforma e komunikimit interaktiv online, Kryeministri Edi Rama tha se kjo risi do shërbejë për të hapur më shumë hapësira bashkëqeverisjeje, ndërveprimi, dialogu mes njerëzve të zakonshëm dhe institucioneve qeveritare.
“Kushdo që ka një çështje për të adresuar për mosplotësimin e një të drejte ligjore në raport me zyrat e shtetit, në lidhje me situata që kanë të bëjnë me tentativa për korrupsion, apo zvarritje për të marrë atë që i takon, duhet t’i referohet kësaj platforme. Ndërkohë, nismat janë disa, por është përzgjedhur kjo nismë për këtë proces. Së bashku duhet të gjejmë rrugë të reja, për të përmirësuar reformat tona dhe procesin e qeverisjes.
Në Platformë ka dhe një hapësirë tjetër për të bërë interpelanca. Ashtu si një grup deputetësh mund të thërrasin në interpelancë Kryeministrin apo një ministër, një grup qytetarësh mund të thërrasë në interpelancë në këtë hapësirë që ne e krijuam enkas për këtë punë. Sot faktikisht është dita e parë që ndizen këto ekrane dhe shpresoj që të jenë të ndezura në mënyrë sistematike, për të dhënë llogari për një çështje të caktuar përpara”, tha Rama.
Kryeministri Rama, së bashku me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla zhvilluan komunikimin e parë interaktiv online me një grup prindërish, mësuesish dhe nxënësish, për të shqyrtuar reformimin e kalendarit ditor të orëve mësimore përmes nismës “3 lëndë në 6 orë”.
L.R./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.