“Po paguajmë haraç” – Bizneset Kosovë-Shqipëri në “sulm” ndaj qeverive: Eliminoni kostot!
Pas Serbisë, Shqipëria është vendi i dytë më i “vështirë” për bizneset e Kosovës sa i takon marrëdhënieve tregtare, që nga barrierat tarifore dhe burokratike si dhe pagesat për kalim në Rrugën e Kombit, duke bërë që dy vendet të mos jenë konkurruese në rajon. Bizneset e të dyja vendeve kanë “shkundur” qeveritë që të marrin masa për të zgjidhur këtë situatë.
Qeveria e Kosovës është treguar e hapur për të eliminuar këto pengesa, duke u zotuar në zbatimin e marrëveshjeve të lidhura mes dy vendeve.
Por nuk ka lënë pa shfrytëzuar rastin, për ti bërë të qartë qeverisë shqiptare se pagesa për kalim në Rrugën e Kombit dhe pagesat për skanim, janë “haraç” për bizneset kosovare. Po ashtu e hapur për zgjidhje problemesh është edhe qeveria shqiptare, ku për momentin zotohet vetëm për të diskutuar mbi tarifat e skanimit, duke mos tejkaluar ankesat për Rrugën e Kombit.
Forumi Ekonomik Mbarë Kombëtar në mbledhjen e 3 të tij, ka vënë “dorën në plagë” për shqetësimet më të mëdha që kanë bizneset e të dyja vendeve dhe se si mund të përmirësohen marrëdhëniet tregtare.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.