Polemikat për Kreun e KLSH – Ruçi, letër Presidentit: Respekto afatet. Meta: Kam propozuar tre emra
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i është drejtuar me një letër Presidentit Ilir Meta për të propozuar një emër për postin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Përmes letrës, Ruçi i kërkon Kreut të Shtetit të respektojë afatet ligjore për të plotësuar postin që mbetet vacant prej më shumë se një viti, kur përfundoi mandate 7 vjeçar i Bujar Leskajt.
“Presim propozimin tuaj për kreun e KLSH. Kemi muaj që presim emrin për kreun e KLSH. Presidenti duhet të respektojë afatet sipas Kushtetutës”,- thekson në letër Gramoz Ruçi.
Posti I Kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbahet aktualisht nga Bujar Leskaj si drejtues në detyrë deri në çastin e mbushjes së vakancës.
Vetëm pak minuta pas publikimit të kërkesës së Ruçit nëpër media, ka ardhur edhe reagimi I Kreut të Shtetit. Përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, Presidenca ka theksuar se Kreu I Shtetit ka respektuar detyrimet kushtetuese dhe se ka propozuar 3 kandidatë për këtë post. “Presidenti Meta e ka respektuar me përgjegjshmëri maksimale detyrimin kushtetues duke propozuar tre kandidatura mjaft dinjitoze dhe të kualifikuara për të garantuar pavarësinë e KLSH. Presidenti Meta si gjithmonë do të përmbushë detyrimet e tij kushtetuese për të garantuar pavarësinë e institucioneve” shkruan Blushi në statusin e tij në rrjetet sociale.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.