Policimi në Komunitet, qeveria suedeze financon 3.3 milionë euro
Projekti i Policimit në Komunitet nis fazën e dytë të tij me një investim prej 3.3 milionë euro. Kjo shumë është financuar nga Qeveria Suedeze dhe ka si qëllim që të rrisë transparencën, llogaridhënien dhe funksionimin sa më të mirë të policisë së shtetit.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është shprehur se po punohet për të dhënë më shumë siguri për qytetarët.
“Është falë bashkëpunimit të konsoliduar të deritanishëm, por dhe falë besimit të shtuar nga partnerët, që sot nisim një projekt me financimin e Qeverisë Suedeze. Janë 3.3 milion euro që do të ndihmojnë Policinë të shërbejë më mirë, të ketë transparencë më shumë, llogaridhënie më të mirë ndaj qytetarëve dhe mbi të gjitha një punë më intensive në çdo detyrë që bën për ta bërë Shqipërinë më të sigurt. Policimi në komunitet është mënyra më e mirë për të rindërtuar marrëdhënien e punonjësit të Policisë me komunitetin vendor”.
Së shpejti do të nisë edhe Policimi Vullnetar në vend, ku qytetarë që kanë kohë të lirë dhe duan të kontribuojnë për sigurinë e vendit mund të ushtrojnë atë në mënyrë vullnetare.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.