Politika monetare – BSH: Rritet kreditimi në lekë, në nëntor 43.2% e portofolit
Tremujori i fundit i vitit 2016 ka vijuar me një zgjerim të kredisë mbështetur nga zhvillimet pozitive.
Raporti i Politikës Monetare i Bankës së Shqipërisë jep edhe disa nga tendencat e shfaqura sa i përket kreditimit. “Ecuria pozitive e portofolit të kredisë është nxitur nga kreditimi në monedhën vendase”.
Norma vjetore e rritjes së këtij portofoli u përshpejtua në 10.4%, përkundrejt 7.5% në tremujorin e tretë, vlerëson Banka e Shqipërisë në raportin e saj.
Deri në muajin nëntor sipas shifrave zyrtare kemi një rritje të peshës së kredisë në monedhën vendase në raport me totalin e portofolit, duke regjistruar normën 43.2 për qind.
Banka Qendrore vlerëson se dy janë arsyet e kësaj tendence. E para rënia e kostos së financimit për huamarrjen në lekë prej më shumë se dy vitesh, dhe së dyti nga ndërgjegjësimi i agjentëve ekonomikë për rrezikun e kursit të këmbimit.
Në ndryshim nga tendenca historike që kanë pasur bankat për kreditim të biznesit duket se kushtet aktuale kanë favorizuar më shumë individët. “Sipas agjentëve ekonomikë, zgjerimi i kredisë është mbështetur nga ritmet e larta të rritjes së kredisë për individë. Në muajt tetor- nëntor, kredia për individë u rrit mesatarisht me 5.1%, krahasuar me mesataren prej 3.7% në tremujorin e kaluar. Përmirësimi i kushteve në tregun e punës, forcimi i besimit dhe rritja e të ardhurave të disponueshme, kanë favorizuar rritjen e kërkesës për kredi”, thuhet në raport.
Banka e Shqipërisë ka riktheksuar edhe një herë faktin se parashikon të mbajë një normë favorizuese interesi për lekun të paktën deri në fund të 2017-ës, për të dhënë kështu stimulin e nevojshëm financiar për ekonominë.
Nertila Maho/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.