Politika përmes shifrave! Nga pagat e deputetëve, deri te mosha mesatare dhe biznesmenët e parlamentit
“Scan Intelligence Unit” e trajton dhe e sjell informacionin në një mënyrë ndryshe nga sa jemi mësuar të përballemi. Ai vjen për publikun përmes analizave, raporteve dhe studimeve të ndryshme, paraqitur gjithashtu dhe grafikisht. Përpos ekonomisë dhe financës, “Scan Intelligence Unit” trajton tema sociale, por edhe politike, tema të cilat i gjejmë të pasqyruar pothuaj çdo ditë në media.
Jemi mësuar ta trajtojmë politikën nisur nga zhvillimet, deklaratat apo veprimet që ndërmarrin politikanët si dhe qëndrimet e tyre, por “Scan Intelligence Unit” jo vetëm e sjell te publiku atë përmes shifrave, por gjithashtu të trajtuar në një mënyrë krejtësisht të veçantë. Janë kryer një sërë studimesh të cilat kanë në përbërjen e tyre të dhëna që lidhen me moshën e deputetëve si dhe kabinetit të ministrave, të dhëna mbi programin qeverisës, të dhëna mbi pjesëmarrjen politike, numrin e sipërmarrësve që ka në parlament e deri të pagesat e deputetëve.
Shifrat zyrtare të 25 prillit. Pjesëmarrja në 46.2%, më e uleta në histori. PD dhe PS zmadhojnë pjesën e “tortës”
Niveli i pjesëmarrjes në votime është një element i rëndësishëm dhe mat nivelin e demokracisë së një vendi. Po çfarë tregojnë shifrat e pjesëmarrjes në votimet e fundit që ka realizuar vendi ynë në prill të vitit 2021? “Scan Inteligence Unit” me mbylljen e numërimit të të gjitha kutive të votimit për subjektet politike, ka nisur një analizë mbi pjesëmarrjen politike ndër vite.
Totali i votave në rang republike për secilin subjekt garues, përfshirë edhe të pavarurit, si edhe votat e pavflefshme, flet për 1,661,187 vota të hedhura në kutitë e votimit të dielën e 25 prillit.
Kjo shifër përkthehet në një përqindje pjesëmarrje prej 46.28%. Kjo pjesëmarrje është jo vetëm më e ulët se viti paraardhës, por edhe më e ulta në historinë pluraliste të Shqipërisë, që prej vitit 1991. Në total, votuesit që e kanë ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e këtij viti kanë qenë rreth 47 mijë më shumë në terma absolut krahasuar me vitin paraardhës.
Kjo rritje nuk është përkthyer në pjesëmarrje më të lartë pasi këtë vit në lista ka pasur më shumë se 100 mijë zgjedhës më shumë, me të drejtë vote. Pjesëmarrja më e ulët në historinë pluraliste të Shqipërisë mund të shpjegohet me të paktën dy faktorë kyç, objektiv, pra pa hyrë në llogaritje politike; emigrantët dhe covid-19.
Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë, emigrantët votues, të cilët janë më shumë se 1 milionë në total, kanë pasur shumë herë më pak shanse për të votuar, për dy arsye të thjeshta; masat anti-covid, veçanërisht në vendet ku ata janë rezidentë, por sidomos fakti që zgjedhjet u mbajtën në muajin prill, dhe jo në qershor, si zakonisht, kur prezenca e tyre në territorin e vendit tonë është ndjeshëm më e lartë, për shkak të stinës së verës.
Një tjetër faktor përcaktues në këtë pjesëmarrje të ulët në votime mund të ketë qenë edhe covid-19, pra frika për mundësinë e infektimit, por edhe privimi i mbi 20 mijë të infektuarve nga e drejta e votës, paçka se nuk ka informacion të saktë se sa prej 23 mijë të të infekturave me covid-19 ditën e dielë të 25 prillit, ishin me të drejtë vote.
Duke i hyrë një analize më politike të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, vëmë re edhe një fenomen tjetër, atë të polarizimit të mëtejshëm të skenës politike, me përqëndrimin më të madh të viotave dhe të mandateve në Kuvendin e Shqipërisë drejt dy partive më të mëdha.
Në vitin 2013, votat jashtë Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike ishin rreth 482 mijë ( ku përfshihet edhe Lëvizja Socialiste për Integrim si dhe të gjitha partitë e tjera garuese). Në 2017 kjo shifër zbriti në 361 mijë të tilla, dhe në 2021 në vetëm 187 mijë vota. Rënia është prej rreth 300 mijë votash.
Në vitin 2013, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste merrnin 72% të votës popullore në rang kombëtar, në 2017-ën, 77%, ndërsa në 2021-shin, kjo normë ngjitet në plot 88%. Pikërisht kjo normë sinjalizon ndoshta një tranzicion drejt një sistemi “dypartiak”.Kjo shifër është rrjedhojë e drejpërdrejtë e dy faktorëve objektiv, pa i hyrë një analize më të thellë politike të orientimit të votës; rënies së Lëvizjes Socialiste për Integrim me mbi 100 mijë vota në rang kombëtar, si dhe përfshirjen e partive aleate të Partisë Demokratike nën siglën e kësaj të fundit, në të njëjtën listë.
Po mbështetja ndaj 4 partive parlamentare të dala nga zgjedhjet e 25 prillit si ka ndryshuar këto 8 vite? Vihet re se krahasuar me vitin 2017, Partia Socialiste ka rritur me rreth 3400 vota mbështetjen në rang kombëtar, ndërsa ajo demokratike me rreth 165 mijë vota. Lëvizja Socialiste për Ingerim ka humbur rreth 118 mijë vota. Krahasuar me vitin 2013 ndërkohë, PS ka rritur mbështetjen popullore me rreth 55 mijë vota, ndërsa ajo demokratike me rreth 93 mijë. Por në këtë rast, duhet të kemi parasysh sërish përfshirjen e aleatëve në të njëjtën listë me Partinë Demokratike. Madje, krahasuar me vitin 2013 Partia Demokratike sot, ka edhe parti të tjera në koalicion, si ajo e Bashkimit të të Drejtave Të Njeriut (PBDNJ). Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2013, PBDNJ, PDIU dhe PR së bashku gëzonin në total, rreth 111 mijë vota, pra më shumë se rritja e Partisë Demokratike në harkun e 8 viteve.
Rinohet Parlamenti i Shqipërisë, mosha mesatare zbret me 4.8 vite nga 2017, LSI më e plakura. Rritet edhe prania e femrave
Me përfundimin e procesit zgjedhor, numrin e votave dhe shpalljen e rezultatit , sipas Kushtetutës, presedidenti dekreton parlamentin e ri të dalë pas zgjedhjeve. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar listën e kandidatëve fitues për deputet në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të bërë publike në datë 23.06.2021. Kështu në këtë analizë, “Scan Intelligence Unit” ka arritur të gjejë se sa deputet dhe deputete femra do të jenë pjesë në Parlamentin e ri, moshën mesatare të kandidatëve për secilin subjekt politik si edhe moshën mesatare për legjislaturën e re.
Partia Social Demokrate (PSD) arriti të fitonte 3 mandate në zgjedhjet e 25 prillit. Nga këto 3 mandate deputetësh, dy i takojnë gjinisë mashkull dhe një për gjininë femër. Për sa i përket LSI-së, shohim se, ndarja e mandateve është në mënyrë të barabartë; 2 mandate do të drejtohen nga meshkuj dhe 2 mandate nga femrat. Kujtojmë se LSI-ja arriti të fitonte 4 mandate.
“Aleanca për Ndryshim” fitoi 59 mandate, nga të cilat 42 do të drejtohen nga meshkuj dhe 17 nga femrat. Përkthyer në % do të ishte 71% meshkuj dhe 29% femra.
Ndërsa Partia Socialiste arriti të fitonte 74 mandate, gjë e cila i jep statusin e mazhorancës. Nga këto 74 mandate, 47 do të drejtohen nga meshkuj dhe 27 nga femra. Nëse do t`i përkthenim në përqindje, do të ishte 64% për meshkujt dhe 36% për femrat.
Lëvizja Socialiste Për Integrim do të jetë subjekti politik me moshën mesatare më të madhe. Mosha mesatare e deputëve të rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim përllogaritet në 52.25 vjeç. Pas LSI-së, renditet PD-AN, mosha mesatare e të cilës arrin në 49.25 vjeç. Kujtojmë se po në analizën e kryer nga “SIU”, për moshën e deputetëve, lisat e LSI patën moshën më të re të kandidatëve, ndër partitë kryesore. Kjo të thotë se të vjetrit e partisë vazhdojnë të jenë përfaqësuësit e popullit. Pas saj, jo me ndonjë diferencë të madhe në “vitet e jetës” vijon Partia Socialiste me një moshë mesatare 49 vjeç. Kështu PSD, edhe pse me 3 mandate të fituara, mosha mesatare përllogaritet në 36.33 vjeç duke e bërë atë partinë “më të rë”.
Parlamenti Shqiptar përbëhet nga 140 deputetë, të cilët arritën të fitonin mandatin në zgjedhjet e 25 prillit. Në këtë mënyrë “Scan Intelligence Unit” ka krahasuar të dhënat e nxjerra nga zgjedhjet parlamentare 2021 dhe ato 2017 për sa i përket pjesëmarrjes së meshkujve dhe femrave në Parlament si edhe moshën mesatare të dy legjislaturave. Nga analizimi i të dhënave, 66% e Parlamentit të ri do të jenë meshkuj dhe 34% do të jenë femra.
Legjislatura e vitit 2017 përbëheshe nga 39 mandate për deputetet femra dhe 101 mandate për deputetët meshkuj. Krahasimi me legjislaturën 2021 nxjerr në pah se, numri i deputeteve femra është shtuar me 8 mandate. Kështu për Legjislaturën 2017, deputetet femra përbënin 28% të Parlamentit dhe për legjislaturën 2021 deputetet femra do të përbëjnë 34% të Parlamentit.
Mosha mesatare për legjislaturën 2021 përllogaritet të jetë 46.70 vjeç. Për sa i përket moshës mesatare për legjislaturën 2017, përllogaritet në 51.55 vjeç. Kjo ulje e konsiderueshme e moshës mesatare të legjislaturës së re, me thuajse 5 vite, na sjell një parlament më të ri.
17% e deputetëve të ri do të jenë sipërmarrës! Partia Demokratike, me përfaqësimin më të madh
Përpos analizës lidhur me moshën mesatare, “Scan Intelligence Unit” ka ryer një tjetër analizë në lidhje me kandidatët që janë sipërmarrës dhe janë pjesë e parlamentit të ri. Analiza është bazuar në numrin e deputetëve që janë sipërmarrës kundrejt totalit të deputetëve fitues të secilit qark për dy subjektet politike kryesore.
Sipas filtrave të përdorur nga “Scan Intelligence Unit” rezulton se, nga 140 deputet që përbëhet parlamenti shqiptar, 24 prej tyre gezojnë statusin e sipërmarrësit. Përkthyer në përqindje do të thotë se, 17% e deputetëve të parlamentit të ri janë sipërmarrës. Përkatësisht 9 deputet sipërmarrës nga listat e PS, 14 nga listat e PD dhe 1 nga lista e LSI. Për PSD, pavarësisht se arriti të fitonte 3 mandate, asnjëri prej tyre nuk rezulton nga bota e biznesit. 17% e deputetëve sipërmarrës përbëhet nga : 6.42% për Partinë Socialiste, 10% për Partinë Demokratike dhe 0.71% për Lëvizjen Socialiste Për Integrim.
Kështu, për Partinë Socialiste, qarku ku numri i deputetëve fitues por që janë dhe sipërmarrës, rezulton të jetë qarku i Shkodrës, Vlorës dhe Durrësit. Këto qarqe rezultojnë me nga 2 mandate deputetësh fitues sipërmarrës sipas filtrave që “Scan Intelligence Unit” ka përdorur. Qarqe si Tirana, Korça dhe Gjirokastra regjistrojnë nga 1 mandat deputeti.
Kujtojmë që për qarkun e Tiranës, “Scan Intelligence Unit” ka arritur të indentifikojë 9 kandidatë sipërmarrës në lista, ku mesa duket vetëm njëri prej tyre ja ka dalë të bëhet pjesë e Parlamentit të ri. Për qarkun e Korçës dhe të Gjirokastrës “SIU” ka arritur të indentifikojë 4 kandidatë sipërmarrës, por vetëm dy prej tyre kanë arritur të fitojnë mandatin e deputetit. Përkatësisht 1 deputet sipërmarrës për qarkun e Korçës dhe 1 për Gjirokastrën. Në qarqe si Elbasani, Fieri, Lezha, Kukësi, Dibra dhe Berati nuk rezulton asnjë nga deputetët që ka fituar mandatin dhe të jetë sipërmarrës, pavarsisht se në listat e këtyre qarqeve kandidatët për deputet që janë sipërmarrës nuk mungonin.
Për sa i përket listave të Partisë Demokratike, si qarqe me numrin më të lartë të deputetëve që rezultojnë sipërmarrës është qarku i Tiranës dhe ai i Elbasanit me 3 mandate deputetësh sipërmarrës. Vlora dhe Berati regjistrojnë nga 2 mandate deputetësh sipërmarrës për secilën prej tyre. Kujtojmë se në qrkun e Vlorës rezultonin 7 kandidatë sipërmarrës dhe në qarkun e Beratit 3 kandidatë sipërmarrës. Durrësi, Fieri, Shkodra dhe Kukësi ndajnë të njëjtin numër deputetësh që rezultojnë sipërmarrës, 1 deputet sipërmarrës për secilin nga 4 qarqet. Qarqet si Lezha, Korça, Dibra dhe Gjirokastra nuk kanë arritur të sigurojnë një mandate deputeti sipërmarrës, ndonëse në listat e këtyre qarqeve ishin të pranishëm.
Nëse do të bënim një mesatare për të dy subjektet që folëm më lart, dalim në përfundime se për Partinë Demokratike rezultojnë 27% e deputetëve fitues për 12 qarqet që janë sipërmarrës. Ndërsa për Partinë Socialiste rezultojnë 14% e deputetëve fitues për të 12-të qarqet që gëzojnë statusin sipërmarrës. Duke qenë se në listat e kandidatëve, për PD përfaqësimi nga bota e biznesit ishte rreth 20%. dhe për PS në rreth 18%, rezultatet tashmë na tregojnë se biznesmenët nga Partia Demokratike kanë qenë më eficentë se ata nga Partia Socialiste.
“Rama 3” njësoj me “Rama 2”, – Mosha mesatare nuk ndryshon, në 44.5 vjeç, pavarësisht se shumica e kabinetit është plakur me 4 vite
Le ta rikthejmë dhe njëherë vëmendjen te mosha mesatare, por ndryshe nga sa përmendëm më lart, këtë herë do të analizojmë moshën mesatare të kabinetit qeverisës. Është plakur apo është rinuar kabineti i qeverisë ‘Rama 3”? Qeveria e re ka në përbërjen e saj emra të cilat kanë qenë në krye të ministrive edhe katërvjeçarin e kaluar, pra Rama ka zgjedhur të vijojë punën me një pjesë të mirë të ministrave aktualë.
Krahasuar me mandatin e kaluar, qeveria ka ruajtur të njëjtën strukturë, megjithëse me disa andryshime të ministrive pa portofol. Ajo që bie në sy në kabinetin e ri është numri i ministreve femra më i lartë se ai i meshkujve. Gjatë mandatit paraardhës 2017-2021, kryeministri Rama emëroi numër të barabartë ministrash burra dhe gra, duke u përpjekur kështu që të ruajë barazinë gjinore. Megjithatë duket se këtë mandat, kabineti është i dominuar nga gjinia femër.
“Scan Intelligence Unit” ka marrë në analizë kabinetin e ri dhe atë të kaluar për të parë se si ka ndryshuar mosha mesatare. Paçka se disa emra janë rikonfirmuar në qeverinë Rama 3, edhe pse katër vite më të plakur, prurjet e reja kanë bërë që mosha mesatare e kabinetit të jetë pothuajse e njëjta, duke mos pësuar ndryshim. Mosha mesatare e qeverisë së vitit 2017 llogaritet në 44.5 vjeç. Theksojmë se në studim janë marrë emrat e ministrave të emëruar në fillim të mandatit të viti 2017, pa ndryshimet e kryera më vonë. Mosha mesatare e qeverisë së re, e llogaritur nga “Scan Intelligence Unit” është 44.53 vjeç. Edhe pse me diferenca fare të vogla, mosha mesatare e qeverisë Rama 3 është më e plakur se kabineti paraardhës. Mosha më e lartë në kabinetin e ri qeveritar është 58 vjeç, ndërsa mosha më e re është 31 vjeç.
Programi qeverisës i “zbërthyer” fjalë për fjalë, – Dominojnë fjalët ekonomi, shëndetësi, turizëm, “harrohet” industria, bujqësia, studentët, pronat dhe integrimi, e shkuara dominon mbi të ardhmen
E largojmë fokusin nga mosha mesatare, por do vijojmë të mbetemi në qebverinë e re të mandatuar nga zgjedhjet e 25 prillit. Dokumenti më i rëndësishëm mbi të cilin do të bazohet qeverisja 4-vjeçare e qeverisë së re është programi qeverisës.
“Scan Intelligence Unit” ka vendosur ta analizojë në një aspekt tjetër përbërjen e tij, duke parë se si janë përdorur fjalët, cilat më shumë e cilat më pak, me qëllimin për të kuptuar sadopak vëmendjen e politikave qeverisëse të 4-vjeçarit të ri. Nga përpunimi i të dhënave janë eleminuar nga programi fjalë lidhëse, ndajfolje, etj. E nisim këtë analizë me 10 fjalët më të përdorura në programin qeverisës të mazhorancës.
Në llogaritje janë marrë bazët e fjalës, pra të gjitha trajtat dhe kohët e saj, brenda të njëjtit kontekst. Cila fjalë rezulton të jetë ajo më e përdorura? Shqipëria! Plot 142 herë. Ndiqet nga “ekonomia”, 57 herë, “shëndetësia” 49 herë, “qytetar” 41 herë dhe “turizmi” 39 herë. Lista e 10 fjalëve më të përdorura në programin e ri vijon me “biznes”, “paga”, “investim”, “zhvillim” dhe “infrastructure”. Ndër 10 fjalët më të përdorura, 6 prej tyre kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ekonominë. Dhjetë fjalët e para, të renditura sipas frekuencës së përdorimit janë fjalët më të përdorura në tekstin e dokumentit, me përjashtim të lidhësave, ndajfoljeve, foljeve. Ndërkohë, më poshtë do të shohim frekuencën e përdorimit të disa fjalëve kyçe, në pamundësi për të paraqitur grafikisht të gjitha fjalët e përdorura në tekst.
Diçka tjetër që bie në sy nga kjo analizë është fakti se, viti “2013” është përdorur ekzaktësisht sa viti “2022”, plot 24 herë secili numër, paçka se mazhoranca është në mandatin e 3-të qeverisës. Për të kuptuar peshën e së ardhmes dhe të shkuarës në këtë program, të shohim edhe foljet “ishte” me “do të jetë”, ku e para përmendet 16 herë dhe e dyta vetëm 11 herë. Fjala e “ardhme” ndërkohë përmendet vetëm 13 herë.
Disa fjalë të tjera që bien në sy nga përpunimi i të dhënave janë edhe: “falas”, plot 17 herë, “reforma”, 26 herë, “inovacion”, vetëm 7 herë, apo “mjedis”, sërish 7 herë. Mjedisi morri një vëmendje të veçantë nga kryeministri Rama në fjalën e tij në seancën parlamentare të prezantimit të programit qeverisës. Fjala “industri” ndërkohë nuk përmendet qoftë një herë të vetme.
Fjala “opozitë” përmendet zero herë, ndërsa fjala bashkëpunim 12 herë, asnjëherë në kontesktin e bashkëpunimit me pakicën. Një tjetër detaj që bie në sy është përdorimi i fjalës “integrim” vetëm 4 herë dhe i “Ballkanit të Hapur” 3 herë.
Fjala “fermer” përdoret vetëm 2 herë, ndërsa “bujqësia” 6 herë, paçka se bëhet fjalë për një prej shtyllave kryesore të ekonomisë shqiptare. Edhe “agro-turizmi”, një prej drejtimeve që ka marrë më shumë vëmendje gjatë viteve të fundit, përmendet vetëm 4 herë. “Pension” apo “pensionist” përmenden 14 herë, ndërkohë që duket se fjala “pronë/pronar” thuajse është zhdukur nga programi, duke u përmendur vetëm 2 herë.
Sa i përket arsimit si sektor, fjala arsim në vetvete përmendet 23 herë, por fjalët student/studim, vetëm 9 herë. Në drejtim të shëndetësisë, e përmendur plot 49 herë si e tillë, vëmë re edhe përdorimin e fjalës “pandemi”, 21 herë apo “covid”, 3 herë. Fjala “rindërtim” ndërkohë është përmendur vetëm 8 herë.
Nje deputet shqiptar paguhet 5 herë më shumë se shqiptari mesatar. 25 prilli, garë edhe për një vend pune
Le ta shohim tani garën e 25 prillit në një këndvështrim tjetër, por jo më pak të rëndësishëm, Ajo nuk ishe ventëm një garë ideologjish, programesh, vizionesh, individësh, apo liderësh, pasi po ta “banalizojmë” pak, mund ta konsiderojmë edhe si një garë për një vend pune. Kjo është gjëja e parë që të shkon ndërmend kur sheh edhe përfitimet monetare të të qënit deputet.
Përfitimet që merren nga statusi i deputetit janë të shumta, por sa shkon mesatarisht paga e një deputeti në kuvendin shqiptar? “Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat e marra nga pasqyra e publikuar nga vetë faqa zyrtare e Kuvendit, mbi pagën e deputetëve dhe përfitimet e tjera financiare.
Këto të dhëna i referohen muajit shkurt të këtij viti. Paga e një deputeti është mesatarisht 158 mijë lekë (bruto), pa llogaritur këtu përfitimet për naftën, faturat e telefonit apo pjesëmarrjet në komisionet parlamentare apo dhe dietat që përfitojnë. Nëse do të flisnim për pagën neto të një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, mesatarisht ajo arrin në 116 mijë lekë. Nga të dhënat, rezulton se bashkë me shpërblimet, ku përfshihen honoraret, karburanti, telefonia, qiraja etj, paga bruto arrin në 276 mijë lekë. Ajo që tërheq vëmendjen janë pagesat që paguan shteti shqiptar për shpenzimet e tjeta financiare për deputetët, shifër që tejkalojn madje edhe pagën neto që merr një deputet.
Po të krahasojmë pagën mesatare bruto të një deputeti, bashkë me shpenzimet e përmendura më lart, me pagën mesatare bruto në Shqipëri, shohim se paga e deputetëve është rreth pesë herë më e lartë se paga mesatare në Shqipëri e cila arrin në 54 951 lekë.
“Scan Intelligence Unit” po ashtu ka llogaritur diferencat mes pagës mesatare që marrin deputetët, me pagën që merr nje mësues apo një mjek. Nga të dhënat e Kuvendit të Shqipërisë, të kryqëzuara me të dhënat e Institutit të Statistikave, shohim se paga e punonjësve të administratës publike; sigurimit social të detyrueshëm; arsimit; shëndetësisë dhe aktivitete të punës sociale, është rreth katër herë më e ulët se paga e një deputeti. 66 435 shkon paga bruto e profesioneve të përmendura më lart.
Le të vijmë të pagesat që paguan shteti shqiptar për deputetët, ose siç quhen ndryshe përfitimet financiare. Rreth 35 mijë lekë të reja janë përfitimet mesatare që përfitojnë deputetët për shpenzimet e karburantit. 17 mijë në muaj shkon për shpenzimet e telefonisë, ndërsa honoraret neto arrijnë mesatarisht në vlerën 10 mijë lekë të reja. Shifrën më të lartë e arrijnë shpenzimet për dieta për udhëtime brenda vendit qe shkon në rreth 48 mijë lekë, ndërkohë që ka edhe deputetë të cilët jetojnë në apartamente me qira dhe shteti shqiptar duhet të paguajë mesatarisht 6 mijë lekë për t`u mbuluar atyre këto shpenzime.
Nga të dhënat e pasqyruara në Kuvendin e Shqipërisë shohim se dy deputetet që marrin dhe pagën më të lartë bruto bashkë me përfitimet financiare i përkasin gjinisë femërore. Paga e tyre mujore arrin deri në 339 mijë lekë.
Roel Korkuti e Xhorxhina Deda/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.