Politikat monetare në SHBA – Powell: Janë pozicionuar siç duhet. Po mbështesin tregun e punës
Kryetari i sistemit bankar qendror në SHBA, Jerome Powell, tha se politikat monetare janë të pozicionuara mirë për të mbështetur tregun e fortë të punës.
Powell tha se ka dëgjuar raste të punëdhënësve dhe shkollave që bashkëpunojnë për të trajnuar dhe punësuar njerëz të niveleve të ndryshme të edukimit.
“Rritja e gjatë ekonomike po jep tashmë përfitime për shumë komunitete dhe ka ende shumë vend për të zgjeruar përfshirjen e punëtorëve”, tha Powell.
Ai tha se të dhënat e përshtatura të punësimit sugjerojnë se tregu i punës mund të mos ketë qenë aq i fortë vitin e kaluar, diçka që mbështeste uljen e normave të interesit. Në Shtator, zyra e Statistikave rishikoi të dhënat për krijimin e vendeve të punës.
Agjencia deklaroi se ekonomia ka shtuar 170,000 vende pune në muaj në vitin fiskal 2018, apo gjysmë milion më pak vende se sa vlerësohej fillimisht.
Powell tha se ky lajm nuk ka ndryshuar perspektivën e Rezervës Federale, por bëri të ditur se ekonomia ka pasur më pak vrull se sa mendohej. Inflacioni i ulët bëri që banka të ulë vlerësimet për normën neutrale të interesit.
Sipas Powell, kjo ka bërë gjithashtu që ekonomistët të binden se norma neutrale e papunësisë, ku ekonomia operon në potencial të plotë pa shkaktuar inflacion, është gjithashtu më e ulët se sa vlerësohej.
Kryetari i Rezervës Federale tha gjithashtu se bordi i guvernatorëve ka një perspektivë pozitive për ekonominë amerikane, për shkak të shpenzimeve të forta konsumatore.
Banka uli interesat në muajin Tetor për të tretën herë këtë vit, duke e çuar normë bazë të interesit në një segment prej 1.5-1.75%.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.