Politikëbërësit globalë në Uashington – Pranojnë fuqizimin ekonomik global, por rimëkëmbja nuk është e plotë
Anëtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar pranuan fuqizimin e ekonomisë globale, por përmendën edhe vështirësi në lidhje me inflacionin e ulët dhe rimëkëmbjen e pabarabartë ekonomike.
Ndërkohë që Bankat Qendrore kanë mbetur me më pak mjete ndërsa përpiqen të dalin nga masat stimuluese, Fondi Monetar Ndërkombëtar bëri thirrje të reja për politikat fiskale dhe reformat strukturore, që të marrin një pjesë të barrës në forcimin e rimëkëmbjes, tashmë që ditët më të këqija të krizës kanë kaluar.
“Reformat strukturore që kanë patur vështirësi në zbatim gjatë periudhës së krizës, janë më të thjeshta për t’u ndërmarrë tashmë”, tha Christine Lagarde, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Trupi drejtues i fondit, Komiteti Monetar dhe Financiar Ndërkombëtar (IMFC), deklaroi se rimëkëmbja globale, e nxitur nga rritja e investimeve, tregtia dhe aktiviteti i fabrikave, ka përmirësuar perspektivën.
Megjithatë, politikëbërësit u paralajmëruan, se ndërsa inflacioni në ekonomitë e zhvilluara qëndron poshtë objektivit dhe potenciali i rritjes në shumë vende është i dobët, rimëkëmbja nuk është ende e përfunduar.
Liderët financiarë, që morën pjesë në takim, paralajmëruan gjithashtu se ndërsa ekonomitë janë përmirësuar, fuqizimi nuk është shpërndarë në të gjitha shtresat.
Sipas komunikatës, vendet anëtare kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë në reduktimin e pabarazive globale dhe për të studiuar me detaje efektet negative të periudhës së tej zgjatur me norma të interesit pranë zeros, që mund të kenë te çmimet e aktive dhe te aktiviteti ekonomik.
Guvernatori i Bankës së Japonisë, Haruhiko Kuroda, tha se ndërsa rritja e ngadaltë e pagave dhe çmimeve është bërë diçka e zakonshme në ekonomitë e zhvilluara, është thjeshtë çështje kohe që këto tregues të përshpejtohen ndërkohë që ekonomia rifiton vrull.
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, tha se duhet bërë durim. “Në aspektin politik, ne kemi besim se kushtet do të vazhdojnë të përmirësohen dhe se inflacioni do të arrijë gradualisht në objektivin tonë, por duhet durim pasi kjo do të kërkojë një kohë shumë të gjatë”, tha Mario Draghi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.