Polonia dhe Hungaria bllokojnë buxhetin e BE. Vendosin veton prej klauzolës së respektimit të ligjit që kushtëzon fondet
Gjermania, duke mbajtur presidencën e Bashkimit Europian, shprehu besim se do të gjejë një zgjidhje ndaj bllokimit nga Polonia dhe Hungaria të paketës financiare prej 1.8 trilionë euro, që duhet për të rimëkëmbur ekonominë nga kriza e pandemisë. “Ka shumë para të përfshirë që shumë vende në BE kanë nevojë, për të cilat duhet të gjejmë një zgjidhje sa më shpejtë”- tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas. Ministri francez për Europën, Clement Beaune, shprehu gjithashtu besim duke thënë se pritet një zgjidhje në javët e ardhshme dhe se Franca është angazhuar plotësisht për ta gjetur. Ministri gjerman për Europën, Michael Roth i bëri thirrje Polonisë dhe Hungarisë që të veprojnë me përgjegjësi përballë rënies ekonomike të pandemisë. “Nuk është koha për veto por për veprime të shpejta dhe solidarizuese”- tha Roth. Budapesti dhe Varshava vendosën veton mbi aplikimin e buxhetit të BE prej 1.1 trilionë euro dhe 750 miliardë euro të fondit të rimëkëmbjes. Kjo erdhi pasi ligji i buxhetit përfshin një klauzolë që kushtëzon aksesin tek paraja me respektimin e sundimit të ligjit. Ndërkohë që si buxheti edhe paketa e rimëkëmbjes kërkojnë mbështetje unanime të të gjithë shteteve të BE, pa pëlqimin e Polonisë dhe Hungarisë, asnjë vend nuk do të përfitojë nga paraja, përfshirë vetë këto dy vende, që janë përfituese neto të fondeve. Qeveritë nationaliste në Budapest dhe Varshavë, janë kundër për shkak se ndodhen në proces të hetimit për pavarësinë e gjykatave, medias dhe organizatave jo-qeveritare, ç’ka mund të rrezikojë aksesin tek fondet.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.