Polonia shkel ligjin e BE – Gjykata Europiane e Drejtësisë vendos për reformat e gjyqësorit
Polonia ka shkelur ligjin e Bashkimit Europian kur uli moshën e daljes në pension për gjyqtarëve në vitin 2017 dhe prezantoi një moshë të ndryshme të daljes në pension për gratë dhe burrat në këtë profesion, sipas gjykatës kryesore të Europës.
Vendimi i dha një goditje qeverisë nacionaliste të vendit që ndodhet në betejë me Komisionin Europian, pasi tregoi se Varshava ka shkelur ligjin duke përkeqësuar pavarësinë e gjykatave. Partia ligj dhe drejtësi kaloi një ligj në vitin 2017 që uli moshën e daljes në pension të gjyqtarëve në 60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç për burrat, nga 67 që ishte për të dy gjinitë.
Ligji i dha gjithashtu fuqi ministrit të drejtësisë, që të zgjasë periudhën e shërbimit aktiv të gjyqtarëve në gjykatat e zakonshme përtej moshave të reja të daljes në pension. Komisioni Europian deklaroi se masat e Polonisë bien ndesh me ligjet e Bashkimit Europian dhe paditi vendin në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.
“Polonia dështoi të respektojë ligjin e Bashkimit Europian, fillimisht duke krijuar një moshë të ndryshme të daljes në pension për femrat dhe meshkujt gjyqtarë apo prokurorë publikë dhe së dyti, duke ulur moshën e daljes në pension dhe dhënies fuqi ndaj ministrit të drejtësisë për të zgjeruar periudhën e shërbimit aktiv për këto gjyqtarë”, deklaroi Gjykata Europiane e Drejtësisë.
Ministria e Jashtme e Polonisë u kundërpërgjigj, duke thënë se vendimi ishte i pajustifikuar pasi Varshava ka bërë amendime të këtyre reformave në vitin 2018, për të trajtuar shqetësimet e Bashkimit Europian.
Nëpërmjet amendimeve, mosha e daljes së pension është bërë e njëjte për femrat dhe meshkujt. Kritikët thonë se synimi i reformave është që partia qeverisëse të zëvendësojë gjyqtarët me zyrtarë politikë, për të fituar kontroll të gjyqësorit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.