Popullsia në Shqipëri – INSTAT: Tremujori i parë 2017, rënie me 33.6%
Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e parë 2017, pasqyron një rënie me 33,6% në krahasim me tremujorin e parë 2016. Gjatë kësaj periudhe numri i lindjeve tejkaloi me 852 numrin e vdekjeve.
Në tremujorin e parë 2017, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, regjistron normën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 639 numrin e vdekjeve.
Në qarqet Elbasan, Durrës, Dibër, Lezhë dhe Fier shtesa natyrore është pozitive. Vlera më e ulët është regjistruar në Qarkun e Korçës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 160 numrin e lindjeve.
Numri i lindjeve për tremujorin e parë 2017, rezulton 6.880 duke shënuar një rënie me 4,0 %, në krahasim me tremujorin e parë 2016.
Numri më i ulët i lindjeve regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, 138 lindje, me një rënie prej 10,4 %, në krahasim me tremujorin e parë 2016, ndërkohë numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës me 2.087 lindje, të cilat shënojnë rritje me 1,5 %, në krahasim me tremujorin e parë 2016.
Qarku i Tiranës dhe qarku i Vlorës janë qarqet e vetme që pësuan rritje të numrit të lindjeve në tremujorin e parë 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, edhe pse kjo rritje rezulton shumë e vogël.
Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e paraqet qarku i Beratit me 14,3 %.
Numri i vdekjeve për tremujorin e parë 2017 rezulton 6.031, duke shënuar një rritje prej 2,6 %, krahasuar me tremujorin e parë 2016. Ndërkohë sipas INSTAT numri i vdekjeve është rritur.
Numri më i madh i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës me 1.448 duke shënuar një rritje prej 6,3 %, në krahasim me tremujorin e parë 2016. Numri i vdekjeve është rritur pothuajse në çdo qark në tremujorin e parë të vitit 2017 në krahasim me tremujorin e parë 2016.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.