Portal për shitblerjen e energjisë elektrike- KESH anulon procedurën për mungesë fondesh
Procedura për ndërtimin dhe operimin e portalit për shit-blerjen e energjisë elektrike, nga Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare është anuluar.
Dokumentacioni i procedurës prokuruese evidenton se aktualisht procesi i shitblerjes së energjisë në KESH sh.a kryhet në formë shkresore duke përdorur vetëm shërbimin e postës elektronike email si procedurë të automatizuar. Kryerja e procesit në formën aktuale garanton sigurinë por jo transparencën.
“Në mungesë të një platforme të informatizuar që ndihmon në përmbushjen dhe realizimin e këtij objektivi, konstatohet nevoja e ndërtimit të procedurave të blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike në përputhje me parimet e barazisë, konkurrencës, transparencës dhe parimet e ruajtjes së konfidencialitetit. ”
Por sipas lajmërimit zyrtar, procedura e sipërcituar anulohet për mungesë fondesh. Fondi limit i përcaktuar ishte 34.9 milion lekë dhe procedurat do të mbylleshin me 17 qershor 2019.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.