Portal për shitblerjen e energjisë elektrike, KESH hap procedurën 34.9 milion lekë
Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur procedurën për ndërtimin dhe operimin e portalit për shit-blerjen e energjisë elektrike.
Fondi limit i përcaktuar është 34.9 milion lekë. Procedurat mbyllen me 17 qershor 2019.
Në dokumentacionin e procedurës prokuruese evidenton se aktualisht procesi i shitblerjes së energjisë në KESH sh.a kryhet në formë shkresore duke përdorur vetëm shërbimin e postës elektronike email si procedurë të automatizuar. Kryerja e procesit në formën aktuale garanton sigurinë por jo transparencën.
“Në mungesë të një platforme të informatizuar që ndihmon në përmbushjen dhe realizimin e këtij objektivi, konstatohet nevoja e ndërtimit të procedurave të blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike në përputhje me parimet e barazisë, konkurrencës, transparencës dhe parimet e ruajtjes së konfidencialitetit.
Këto rregulla dhe procedura do të duhet të përkthehen në një sistem të automatizuar për operime të shpejta, bazuar në një proces konkurrues dhe transparent për realizimin e shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike pa cënuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike të klientëve” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) është në kërkim të një Operatori ekonomik në fushën e teknologjisë së informacionit, me ekspertizën e duhur për implementimin e një platforme software për administrimin e integruar të procedurave të blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike.
Në thelb të kësaj platforme duhet të qëndrojë menaxhimi dhe informatizimi i të gjithë procesit të punës rreth këtyre procedurave.
Sipas KESH, implementimi i një platforme softëare për administrimin e integruar të procedurave të blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike, menaxhimin e tyre dhe kontrollin e këtij procesi nëpërmjet sistemit, pritet të sjellë përfitime të menjëhershme dhe afatgjata për institucionin.
Nëpërmjet këtij projekti synohet të arrihet:
-Akses më i shpejtë dhe i thjeshtë në informacionin e duhur.
-Procedura efiçiente dhe praktike ndaj kompanive të blerje/shitjes së energjisë elektrike.
-Përmirësim të komunikimit dhe rritje të bashkëpunimit, duke sfiduar pengesat e një ambienti tradicional.
-Aplikim i lehtësuar i politikave rregullative për proceset e blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike.
-Rritje e shpejtësisë dhe efiçiencës së proceseve që lidhen me blerjen dhe shitjen.
-Nxitja e konkurrencës në procesin e blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike.
-Transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në procedurat e blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike.
-Monitorim i procesit të blerjes dhe shitjes, si edhe dokumentacioneve të nevojshme si pjesë të procesit.
-Rritja e aftësive/kapaciteteve përpunuese dhe analizuese të të dhënave dhe përmirësimi i rezultateve.
-Nxjerrja e raportimeve sipas kërkesave të përdoruesit, monitorimi në kohë reale i proceseve dhe pjesëmarrësve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.