Porti i Limjonit në Sarandë – Kontrata 1 euro parashikon 505 mln lekë investime
Pas vendimit të Këshillit të Ministrave për dhënie me qira simbolike 1 euro të portit detar të Limjonit në Sarandë, SCAN ka zbardhur edhe detajet e kontratës mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe “Concord Investment”.
Qëllimi kryesor i përdorimit parashikohet ngritja e një kantieri me kushte bashkëkohore, duke përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet e portit, me qëllim rritjen e standardeve të cilësisë së shërbimeve për mirëmbajtjen e mjeteve lundruese. Mungesa e kantierëve të riparimit, llogaritet të ketë sot një kosto mbi flotën e peshkimit në vend prej 7 milionë eurosh në vit.
Në total, qiramarrësi do të investojë rreth 505 milionë lekë brenda vitit 2021, ku investimi do të jetë i ndarë në dy faza. Në fazën e para, e cila kushton mbi 77 milionë lekë, do të vendosen tre depozita me kapacitet 2 mijë tonë për furnizimin e mjeteve me naftë, 100 ton për furnizimin me benzinë dhe 200 tonë për ujë. Brenda fundit të 2019, pritet që gjithashtu të dnërtohen rrugët për kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve, si dhe blerja e makinerive dhe mobilimi i zyrave.
Në fazën e dytë, e cila do të kushtojë plot 428 milionë lekë, pritet punimet më të rëndësishme si: ndërtimi i kalatës së re, kapanonit të kantierit, kullës së kontrollit, sipërfaqeve për shërbime civile, oficinës së servisi dhe blerja e pjesës teknike.
Gjatë 20 muajve të parë pritet të punësohen 20 individë, ndërsa brenda 44 muajsh dhe në vijim, numri i të punësuarve nuk do të jetë më pak se 30.
Për të garantuar zbatimin e kontratës, qiradhënësi ka depozituar garancinë prej 10 milionë lekësh, e cila do të qëndrojë e ngurtësuar deri në përfundim të investimit. Disa kohë më parë qeveria ka miratuar edhe disa masa ndëshkuese pikërisht për kontratat 1 euro, ku qiramarrësit ndëshkohen me gjoba.
Kontrata do të zgjasë 20 vite, kohë pas së cilës qiramarrësi duhet të dorëzojë pronën e padëmtuar, por me të drejtën të heqë përmirësimet e ndashme nga prona.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.