Portugalia, karantinë për britanikët e pavaksinuar / Vendi i varur nga turizmi shqetësohet nga varianti i ri Delta
Pasagjerët që mbërrijnë në Portugali nga Britania duhet të karantinohen për 14 ditë, nëse nuk janë vaksinuar plotësisht kundër Covid19. Rregulli i ri do të qëndrojë të paktën deri në mes të Korrikut dhe vjen pas një rritje të rasteve në Portugali, në nivelit e muajit Shkurt, kur ishte në karantinë më strikte. Rastet ditore janë rritur gjithashtu në Britani, por programi i vaksinimit atje ka qenë më i shpejtë dhe një përqindje shumë më e lartë e të britanikëve të rritur kanë marrë të paktën 1 dozë. Britanikët që mbërrijnë në vend duhet të tregojnë prova të vaksinimit të plotë, ose do izolohen për 14 ditë në shtëpi apo në një vend të lajmëruar nga autoritetet e shëndetësisë, sipas një deklarate të qeverisë. Një person konsiderohet i vaksinuar plotësisht në Portugali 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë, ose dozës përfundimtare në rastin e J&J. Pasagjerët nga Britania që janë shëruar nga Covid dhe kanë marrë 1 dozë, do lejohen gjithashtu. Britania është një nga burimet më të mëdha të turistëve të huaj në Portugali, por e hoqi Portugalinë nga lista e vendeve pa karantinë këtë muaj. Gjermania e shpalli Portugalinë një zonë të variantit të virusit në javën e kaluar, që ndërprenë më tej fluturimet. Autoritetet e shëndetësisë në Portugali kanë fajësuar rritjen e infeksioneve tek varianti delta i virusit, që po përhapet në Britani. Varianti zë 70% të rasteve të reja në Lisbonë dhe po përhapet shpejtë në të gjithë vendin.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.