Portugalia, “karshillëk” Greqisë – Merr “OK” nga BE, do ta likuidojë para kohe FMN
Ndërkohë që Greqia po vuan prej më shumë se 6 muajsh për të marrë 7.5 miliardë eurot në mënyrë që t`ia rikthejë kreditorëve në Korrik, kur skadon edhe kësti i radhës i huasë, Portugalisë i është dhënë drita jeshile nga Komisioni Europian që t`i paguajë 10 miliardë euro detyrime Fondit Monetar Ndërkombëtar përpara afatit, me qëllimin për të kursyer interesat e pagesës.
Nuk është hera e parë që Portugalia vepron në këtë mënyrë, dhe ndjek një praktikë të njëjtë që prej vitit 2015. Kjo për arsye se, ndryshe nga kreditorët e tjerë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ofron tradicionalisht interesa mjaft të kripura. Deri më tani, Portugalia ka shlyer gjysmën e detyrimeve që rrjedhin nga programi i shpëtimit prej 78 miliardë eurosh në total. “Ne i kemi kërkuar eurogrupit që të autorizojë një tjetër procedurë për një pagesë të hershme ndaj FMN.
Kjo do të na lejojë që të ulim kostot e financimit dhe të menaxhojmë pagesat në të ardhmen në mënyrë më të balancuar”- deklaroi zëvendësministri i Financave portugeze. Financat e vendit po marrin shtysë edhe nga rënia e ndjeshme e yieldeve qeveritare. Rënia vjen pasi vendi raportoi deficitin më të ulët buxhetor në më shumë se 4 dekada gjatë 2016-ës, ndërkohë që ekonomia ka hyrë në vrull gjatë tremujorit të parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.