Portugalia vazhdon “mrekullinë” – Papunësia bie në 8.8%, nga 10.1%, në vetëm tre muaj
Norma e papunësisë në Portugalia ka pësuar një rënie të konsiderueshme gjatë tremujorit të dytë të vitit, duke konfirmuar edhe njëherë se, Portugalia është shembulli për t’u ndjekur nga të gjithë.
Në periudhën pas krizës financiare globale, vendi hyri në një krizë të thellë borxhi, duke rrezikuar falimentin, njësoj si Greqia. Për këtë arsye u detyrua të hyjë në një program shpëtimi.
Por, deri atëherë, progresi ka qenë galopant. Portugalia jo vetëm që ka dalë nga kriza, por prej më shumë se dy vitesh, arrin t’i shlyejë detyrimet ndaj kreditorëve përpara afatit të skadencës.
Kështu, gjatë tre muajve të dytë të vitit, papunësia ka rënë në 8.8%, nga 10.1% që ishte në tremurojin e parë, dhe 10.8% që ishte në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.
Të dhënat janë zyrtare dhe tregojnë gjithashtu se, aktualisht në vend numërohen 461 mijë të papunë, nga 523 mijë që ishin në tremujorin e parë.
Rënie të ndjeshme ka pësuar edhe papunësia mes të rinjve, në 22.7%, nga 25.1% në tremujorin paraardhës.
Gjatë vitit ta kaluar, Portugalia mbylli vitin e tretë me radhë në rritje që prej recesionit të thellë. Këtë vit rritja do të përshpejtohet në 2.5%, ndërkohë që morali i konsumatorëve ka prekur nivelin më të lartë që prej vitit 1997.
Aktualisht, Portugalia është shumë larg vendeve të tjera të trazuara, si Greqia, Italia, apo edhe Spanja.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.