Pr.buxheti 2022/ OSHEE parashikon 7.2 mld lekë humbje. Rishikohen skema e mbrojtjes sociale për subvencionin e energjisë
Gjatë vitit 2022, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike parashikon një humbje prej 7.2 miliardë lekësh. Kjo evidentohet në projektbuxhetin e vitit 2022, ku evidentohen masat që Shqipëria po merr e do të marrë për t’iu përgjigjur rritjes së çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare. Në këtë listën e masave që po merren, është edhe reduktimi i pagesave të prapambetura por edhe rishikimi skemës së mbështetjes sociale për rimbursimin e energjisë.
“Lidhur me parashikimet më të fundit për vitet 2021-2022, OSHEE sh.a ka raportuar se rritja e paparashikuar eksponenciale e çmimit të energjisë në Tregun e Lirë ka ndryshuar tërësisht perspektivat e zhvillimit të aktivitetit të shoqërisë duke e bërë të padobishëm çdo parashikim të mëparshëm të kësaj shoqërie.
Mosplotësimi i planit të furnizimit me energji elektrike si pasojë e motit të thatë do të detyrojë OSHEE Group sh.a të plotësojë këtë mungesë me blerje në tregun e lirë, që do të ndikojë në ulje të performancës financiare dhe mungesë likuiditeti të kompanisë.
Si pasojë, nga ana e OSHEE Group parashikohet një humbje financiare prej rreth 8.9 miliard LEK për vitin 2021 dhe nëse nuk merren masa të menjëhershme edhe viti 2022 do të shënojë një humbje financiare prej rreth 7.2 miliard LEK.
Me qëllim zvogëlimin e humbjeve financiare OSHEE Group sh.a është duke programuar masa të shpejta lidhur me daljen nga kjo vështirësi në mënyrë që të arritjë një performancë pozitive financiare të sektorit për përballimin e situatave eventuale të vështira në të ardhmen pa rënduar buxhetin e shtetit” shkruhet në projektbuxhetin e 2022.
Plani i masave të reduktimit të detyrimeve të prapambetura në Sektorin e Energjisë Elektrike
Në kuadër të reformës në sektorin e energjisë është ngritur komiteti “Program Steering Comittee” (PSC), i cili në muajin Dhjetor 2020, finalizoi me sukses planin e masave të miratuar me Urdhrin e Përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nr.304 datë 17.12.2020, për reduktimin e detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë elektrike. Ky plan ofron një seri masash me qëllim parandalimin e krijimit të detyrimeve të reja të prapambetura dhe gjithashtu disiplinimin e pagesave ndërmjet kompanive të sektorit energjitik dhe palëve kryesore të lidhura me to. Pas arritjes së një disipline të shëndetshme pagesash ndërmjet tyre, plani propozon ristrukturimin e stokut të detyrimeve dhe përdorimin e instrumentave të ndryshme favorizuese në funksion të reduktimit të këtij stoku.
Sipas planit të masave të miratuar, MFE është angazhuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë/jo të drejtëpërdrejtë në çështje si:
1-Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndërmjet institucioneve.
MFE e ka përmbushur obligimin e saj, dhe finalizimi i plotë i kriterit arrihet me firmosjen e marrëveshjeve bilaterale ndërmjet ndërmarrjeve të sektorit energjitik. Ndërkohë MFE dhe MIE kanë firmosur Urdhrin e Përbashkët nr. 379, datë 30.09.2021 “Mbi zbatimin e planit të masave të reduktimit të detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë elektrike, me anë së cilit, kompanive iu është kërkuar të raportojnë periodikisht lidhur me statusin e marrëveshjeve midis ndërmarrjeve të sektorit elektroenergjitik për detyrimet e prapambetura, raportim periodik mujor lidhur me detyrimet bilaterale të ndërmarrjeve publike dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për shlyerjen e të gjtiha detyrimeve brenda vitit aktual 2021.
- Propozimi për rishikim të skemës së mbështetjes sociale për rimbursimin e energjisë:
o MFE ka dhënë miratimin paraprak për këtë çështje, dhe asistenca teknike për vlerësimin e skemës aktuale ka filluar punën.
- Moduli i raportimit në Thesar për detyrimet e prapambetura të përfshijë dhe faturat e papaguara të energjisë elektrike.
-Në raportin e detyrimeve të prapambetura që gjenerohet nga sistemi Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ), sipas Udhëzimit të ri nr.37 datë 06.10.2020 “Për monitorimin dhe publikimin periodik të detyrimeve të prapambetura të Qeverisjes së Përgjithshme”, tashmë reflektohen edhe detyrimet e prapambetura për faturat e papaguara për energjinë elektrike, referuar të gjithë institucioneve buxhetore që raportojnë detyrimet në sistem
Detyrimet e shoqërive të Ujësjellës – Kanalizimeve ndaj OSHEE Group Sh.a vazhdojnë të mbeten në një vlerë të konsiderueshme. Totali i këtyre detyrimeve deri në Qershor 2021, sipas Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve pas rakordimit të të dhenave me OSHEE Group, raporton se detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve rezultojnë të jenë në vlerën 20.37 miliardë LEK. Sipas të njëtit raportim 11.05 miliard LEK janë detyrime të faturuara ndaj kompanisë dhe 9.32 miliard LEK janë detyrime për kamatëvonesa.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.