Praet mbi programin e BQE – “Do të ndalojë blerjen e borxhit kur të sigurohet mbi inflacionin”
Kreu i ekonomistëve i Bankës Qendrore Europiane, Peter Praet, tha se institucioni do të ndalojë injektimin e parasë së lirë drejt ekonomisë së Eurozonës, vetëm kur të ketë besim se inflacioni do të arrijë objektivin pa nevojën e stimujve. Praet, një nga arkitektët e programit të blerjes së titujve të borxhit prej 2.55 trilionë euro të BQE, i’u përgjigj thirrjeve nga politikëbërësit për të ndaluar këtë skemë, që është fajësuar se po nxit krijimin e flluskave në tregun e pronave dhe të borxhit.
Sipas Praet, përpara se BQE të marrë një vendim të tillë, zyrtarët duhet të jenë të sigurt se inflacioni po i drejtohet objektivit prej rreth 2% dhe se mund ta mbajë këtë tendencë edhe me heqjen e stimujve.
“Kur këshilli drejtues të gjykojë se kushtet janë arritur, blerjet e aktiveve do të skadojnë, në linjë me udhëzimet tona”, tha Praet.
Institucioni në Frankfurt konfirmoi javën e kaluar se do të vazhdojë blerjen e obligacioneve të paktën deri në Shtator dhe premtoi gjithashtu mbajtjen e normave të interesit në nivelin aktual. Inflacioni në zonën e monedhës të përbashkët është regjistruar së fundmi sipër 1%-shit, por nuk pritet të arrijë objektivin në vitet e ardhshme. Rritja e euros është gjithashtu një faktor negativ për objektivin mbi nivelin e çmimeve, për shkak se i bën importet më të lira.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.