Pranimet në TND e administratës publike, miratohet kuota për vitin 2019! Kriteret që duhet plotësuar
Këtë vit, procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues (TND) në administratën publike do të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND.
Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon se për vitin 2019, pranimi në TND do të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet një konkursi kombëtar. Numri i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, është 8 (tetë).
Vendimi përcakton se kriteret minimale të pranimit për këtë procedurë, për kandidatët nga jashtë shërbimit civil, janë, si më poshtë vijon:
a) Të plotësojnë kushtet e përgjithshme të pranimit në shërbimin civil.
b) Të zotërojnë një diplomë të nivelit “Master shkencor” ose të barasvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë të njohura paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njehsimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi.
c) Të kenë të paktën 3 (tre) vjet përvojë pune në pozicione të mesme drejtuese ose të barasvlefshme në:
⦁ institucione të administratës publike;
⦁ institucione bankare të nivelit të dytë e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
⦁ shoqëri tregtare, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohen si biznes i madh e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
⦁ organizata jofitimprurëse, të cilat kanë të paktën 5 (pesë) vjet që janë krijuar.
Përjashtimisht, kandidatët nga jashtë shërbimit civil, të cilët kanë punuar dhe/ose punojnë:
⦁ në institucione ndërkombëtare brenda vendit;
⦁ në profesion jashtë vendit;
⦁ pedagogë në institucione të arsimit të lartë;
⦁ avokatë, noterë apo kontabilistë të miratuar brenda ose jashtë vendit,
duhet të kenë të paktën 5 (pesë) vjet përvojë pune, përkatësisht në këto institucione ose në profesion.
ç) Të mos kenë procese gjyqësore, civile, penale, administrative, të cilat janë në proces, si dhe të mos jenë në ndjekje penale nga prokuroria.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.