Premtimet ekonomike në kohë fushate, Xhepa: “Borxhi publik dhe stabiliteti makroekonomik, të jenë fokusi”
Problemi kryesor me te cilin po përballet ekonomia jonë, sipas ekspertëve të fushës , është borxhi publik. Në një intervistë për televizion SCAN, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, foli për të rejat që sjellin në programet e tyre partitë politike që garojnë për zgjedhjet e ardhshme por nënvizoi se fokusi duhet të jetë te çështja e borxhit publik dhe stabiliteti makroekonomik
“Çështja e borxhit publik dhe stabiliteti makroekonomik duhet të ishte tema kryesore edhe e debatit dhe e forcave politike që garojnë. Fakti që ky debat mungon dhe kryesisht premtimet elektorale janë vetëm në pjesën që shet apo vlen vota si heqje taksës apo rritje shpenzimesh dhe pa iu referuar në asnjë rast borxhit publik nuk është diçka interesante. Por, ka edhe disa inovacione që meritojnë vëmendjen dhe duhet të mbahen në konsideratë nga publiku.
Xhepa u ndal edhe tek barra tatimore ku foli për nevojën e lehtësimit dhe zgjerimit të saj
“Shoqëria jonë ka nevojë për të lehtësuar barrën tatimore dhe për ta zgjeruar atë. Jo vetëm të punësuarit por edhe në strukturën e firmave në Shqipëri,. Nëse kemi hequr tatim-fitimin për 90% të bizneseve, atëherë si mund të mbahet një strukturë ekonomikë që taton 30% të punësuarve dhe 10 apo 20% të bizneseve. Kjo është një strukturë e deformuar dhe mendoj se paraqet probleme serioze jo vetëm në këndvështrimin e drejtësisë sociale, por edhe të eficencës.”
Sipas ekspertit qeveria e ardhshme duhet të fokusohet ne prioritetet strategjike
“Duhet të mendojnë për një klimë biznesi që stimulon investimet privat jo vetëm të huaj dhe jo vetëm në sektor shërbimesh dhe pasurive të patundshme, hotele etj. që patjetër kanë rolin e tyre në turizëm, por kështu rrisim brishtësinë nga goditja në nëj sektor. Prandaj na duhet rritja e investimeve private në manifakturë dhe vlerës së shtuar në mënyrë që të krijojmë një strukturë punësimi të qëndrueshme dhe me paga relativisht të larta. Sistemi ekonomik që nuk do arrijë të prodhojë rritje të mirëqenies përmes rritjes së të ardhurave të njerëzve është shumë e vështirë të konsiderohet i suksesshëm.”
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.