Premtimi i çmendur i Elizabeth Warren – “Po u zgjodha Presidente, do të shkatërroj Amazon, Google dhe Facebook”
Senatorja amerikane, Elizabeth Warren premtoi se do të shkatërrojë Amazon, Google dhe Facebook në rast se zgjidhet presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo e justifikon këtë lëvizje me qëllimin për të nxitur konkurrueshmërinë në sektorin e teknologjisë. Por, ky i fundit nuk i ka pritur aspak mirë këto deklarata ekstreme. Aksionet e Facebook dhe Google ranë me rreth 0.5% të Premten pas deklaratave, ndërkohë që Amazon ra me 0.9%.
Ndaj gjigandëve të teknologjisë ka pasur kritika të shumta kohët e fundit pasi po mbysin çdolloj biznesi tjetër.
Amazon ka zëvendësuar thuajse çdo dyqan fizik ndërkohë që është kritikuar edhe për një forcë pune të keqpaguar.
Facebook ka probleme të shumta me privatwsinw ndërkohë që edhe Google nuk ka pak probleme. Madje, Kongresi amerikan mbajti një seancë dëgjimore vitin e kaluar pikërisht për pozitat dominuese të gjigandëve të teknologjisë.
Por, premtimi i Warren duket se ka edhe sfond politik, pasi këto kompani janë donatorët më të mëdhenj politik.
Google shpenzoi 21 milionë dollarë për fushata lobimi në 2018. Amazon $14.2 milionë dhe Facebook $12.62 milionë. Të paktën këto janë shifrat zyrtare që vetë kompanitë raportuan në Kongresin amerikan.
Ky lobim duket se ka shkuar për demokratët dhe premtimi i senatores Warren mund të përbëjë kërcënim për ta.
Edhe kandidati tjetër për president Bernie Sanders ka shënjëstruar gjigandët e teknologjisë e veçanërisht Jeff Bezos të Amazon, i cili është edhe njeriu më i pasur në botë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.