Prerje e paligjshme e pyjeve – Policia bllokon dy automjetet që transportonin lëndën drusore
Policia e Shtetit njofton se në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Policisë Mirditë, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Operacionale të Autostradës Milot-Morinë, kanë konstatuar dhe ndaluar në vendet e quajtura “Ish-Uzina Rubik” dhe “Qafë Mollë”, Mirditë, 2 automjete që transportonin lëndë drusore.
Sipas njoftimit gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesit e këtyre mjeteve, shtetasit M. G. dhe P. Gj., po transportonin lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.
Policia informon se në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë kanë proceduar penalisht për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasit M. G., 32 vjeç dhe P. Gj., 56 vjeç, banues në Mirditë.
Materialet në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.