Presidenti dekreton pesë ligje – U dakordësuan në marrëveshjen e 5 qershorit. Lidhen me mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore
Presidenti i Republikës ka dekretuar të premten me shpallje, pesë ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, në datën 17 dhjetor 2020. Sipas Kreut të Shtetit këto ligje ishin evidentuar si të nevojshme për t’u realizuar mes forcave politike, në dakordësinë e arritur me marrëveshjen e 5 qershorit 2020, dhe që lidhen me mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore.
Presidenti Meta, ka dekretuar me shpallje ligjin për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal, ligjin për një shtesë dhe disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, ligjin për disa shtesa në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”, ligjin “Për një shtesë në ligjin Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, si dhe ligjin “Për disa shtesa në ligjin ‘Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve’”.
Presidenti Meta, me dekretimin dhe hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve, kërkon nga organet e caktuara me ligj, të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të rrisin bashkëpunimin ndërmjet tyre, me qëllim hartimin akteve nënligjore të nevojshme dhe implementimin objektiv të këtyre ndryshimeve. Sipas Kreut të Shtetit, çdo fenomen negativ, që vendos në rrezik apo cenon sadopak lirinë e votës, apo synon deformimin e vullnetit të sovranit, duhet të ndëshkohet rreptësisht, në funksion të ruajtjes së legjitimitetit të procesit zgjedhor, deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.
Arber Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.