Presidenti iranian rinovon ultimatumin mbi pajtueshmërinë e paktit bërthamor
Irani do të vazhdojë të zvogëlojë pajtueshmërinë me angazhimet e tij në marrëveshjen bërthamore, nëse nënshkruesit e tjerë nuk tregojnë “sinjale pozitive”, deklaroi presidenti iranian në një takim të udhëheqësve rusë, kinezë dhe të tjerë aziatikë në Taxhikistan. Irani nuk pranoi në maj disa angazhime të një marrëveshje bërthamore të vitit 2015 me fuqitë globale, një vit pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja dhe shtrënguan sanksionet. Teherani tha në maj se Irani do të fillojë pasurimin e uraniumit në një nivel më të lartë, nëse fuqitë botërore nuk e mbrojnë ekonominë e saj nga sanksionet e SHBA brenda 60 ditëve.
“Natyrisht, Irani nuk mund të përmbahet në këtë marrëveshje në mënyrë të njëanshme,” tha Presidenti Hassan Rouhani në Konferencën mbi Masat Ndërveprimit dhe Besimit në Azi. “Është e domosdoshme që të gjitha palët e kësaj marrëveshjeje të kontribuojnë në rivendosjen e saj,” tha ai, duke shtuar se Irani duhej të shihte “sinjale pozitive” nga nënshkruesit e tjerë të Paktit, që përfshijnë Rusinë, Kinën, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë. Ai nuk dha detaje se çfarë veprimesh do të merrte Irani apo çfarë sinjalesh pozitive donin të shihnin.
Franca dhe nënshkruesit e tjerë europianë të marrëveshjes, që synonin të frenonin ambiciet bërthamore të Iranit, kanë thënë se donin ta shpëtonin atë, por shumë nga kompanitë e tyre kanë anuluar marrëveshje me Teheranin, nën presionin financiar të Shteteve të Bashkuara. Fuqitë perëndimore kanë akuzuar Iranin për zhvillim të armëve bërthamore, një akuzë që Teherani e mohon duke thënë se dëshiron teknologjinë bërthamore për qëllime paqësore. Rouhani nuk përmendi sulmet mbi dy tanke në Gjirin e Omanit këtë javë, për të cilën Uashingtoni fajëson Teheranin, duke ngritur shqetësimin për konfrontime të reja. Irani ka mohuar çdo rol të tijin në këto sulme.
Burimi: Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.