Presidenti Meta ftesë bizneseve gjermane: Mos hajdeni vetëm si turistë por edhe si investitorë!
Presidenti i Republikës Ilir Meta i bën apel bizneseve gjermane që të investojnë në Shqipëri. Presidenti shqiptar ka qenë i ftuar në Konferencën vjetore të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme gjermane që konsiderohet si një nga aktivitetet më të rëndësishme politike dhe ekonomike në Berlin. Në këtë konferencë marrin pjesë mbi 3500 personalitete të shquara gjermane dhe ndërkombëtare të politikës, botës së biznesit dhe shoqërisë civile.
Presidenti Meta gjatë fjalimit të tij vlerësoi partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit në të gjitha fushat mes Republikës së Shqipërise dhe Republikës Federale të Gjermanisë.
Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen financiare dhe teknike të Gjermanisë për më shumë se 30 vite, në fushat më jetike të ekonomisë tonë si : energjitika, infrastruktura, bujqësia, turizmi, shëndetësia, si dhe arsimi profesional, ku kontributi i saj tejkalon vlerën e 1 miliard dollarëve, duke u renditur kështu si donatori më i rëndësishëm në Shqipëri.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta ftoi biznesin gjerman për mundësitë e investimeve në sektorin e turizmit dhe energjetikës në Shqipëri. “Ftesa ime e sinqertë dhe e drejtëpërdrejtë është që t’ju ftoj në Shqipëri jo vetëm si turistë për të shijuar bukuritë e saj të jashtëzakonshme, por dhe si investitorë potencial duke shfrytëzuar kapitalin tuaj financiar dhe ekspertizën menaxheriale ne sektorin e turizmit’’ theksoi presidenti Meta.
Gjatë fjalimit të tij ai përshkroi edhe situatën ekonomike në vend duke evidentuar se ndërmarrjet e vogla e të mesme janë motori i ekonomisë .
‘’Ekonomia shqiptare është modeste, por potencialet dhe oportunitetet e saj investuese janë të mëdha, sidomos duke vlerësuar pozitën e saj gjeografike. Natyrshëm, dhe për Shqipërinë, ‘Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme’’ janë shtylla kurrizore dhe motori i ekonomisë, duke përfaqësuar në total 99.7% të bizneseve, duke kontribuar me 80% në PBB dhe me rreth 67% të stokut të investimeve private, si dhe duke punësuar mbi 81% të fuqisë punëtore. Shqipëria prej vitesh ka konsoliduar stabilitetin politik, makroekonomik si dhe ka përmirësuar klimën e biznesit.’’ u shpreh Meta.
E.Z/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.