Presidenti Meta në forumin e SCAN: Platformë e ideve konkrete mbi bashkëpunimin ekonomik rajonal (FJALA e PLOTË)
Presidenti i Republikës Ilir Meta evidenton nevojën e krijimit të një zone të përbashkët ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një mesazh për potencialin e një tregu me mbi 20 milion konsumatorë. Në fjalën e mbajtur në “Tirana Economic Forum”, organizuar nga grupi mediatik SCAN, Presidenti tha se “strategjia më e zgjuar dhe afatgjatë do të ishte krijimi i sinergjisë mes vendeve tona për të hartuar një palatformë të unifikuar të investimeve strategjike ku i gjithë rajoni të shikohej si një i vetëm për biznesin e koorporatave multinacionale apo për projektet madhore me impakt rajonaI”.
Në vijim të fjalës së tij, Presidenti vlerësoi pozitivisht krijimin e bursës së parëprivate në Shqipëri ALSE, që sipas tij, është një domosdoshmëri për stadin e ri të ekonomisë dhe një mundësi e shkëlqyer investimi për individët dhe bizneset.
“Në një ekonomi të tregut të lire, sistemi bankar dhe tregjet e kapitaleve funksionojnë si dy mushkëri të një organizmi. Fatkeqësisht në mungesë të një Burse, ekonomia shqiptare ka operuar në mungesë të njërës prej tyre, pra nën kapacitetin dhe potencialin e saj. Në këto kushte krijimi i tregut të kapitalit privat është një potencial i pashfrytëzuar zhvillimi dhe një domosdoshmëri për stadin e e ri të ekonomisë sonë që duam të arrijmë, sepse ndikon në diversifikimin dhe uljen e kostos së burimeve të financimit për kompanitë dhe në rritjen e eficencës duke rritur konkurrencën në sektorin fianciar. Gjithashtu, është një mundësi e shkëlqyer e investimit financiar edhe për qytetarët tanë” tha Meta.
Në vijim të fjalës së tij, Meta vlerësoi pozitivisht forumin e organizuar nga SCAN duke evidentuar se ai duhet të shërbejë si platformë e ideve konkrete mbi bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe adresimin e sfidave të përbashkëta.
Mëposhtë fjala e plotë e mbajtur nga Presidenti i Republikës Ilir Meta:
Dua të shpreh kënaqësinë për këtë konferencë mjaft domethënëse por edhe për këtë pjesëmarrje mjaft dinjitoze dhe të spikatur. Shpreh kënaqësinë që të jem këtu me zv.kryeministrin e Kosovës zotin Hoxhaj, padyshim me Zv.kryeministren tonë Mesi, ministrin e Financave, Guvernatorin, e shumë kolegë të tjerë.
Presioni në rritje që vjen nga globalizimi është mjaft i fortë për të secilin nga vendet tona dhe madje për të gjithë rajonit. Procesi i vrullshëm dhe i pandalshëm i globalizimit na dikton nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë dhe krijimin e një zone të përbashkët ekonomike e cila do t’i dërgonte Bashkimit Europian si dhe tregjeve më të zhvilluara në botë, mesazhin e potencialit shpresëdhënës dhe të paeksploruar të një tregu me mbi 20 milionë konsumatorë që koordinohet për të krijuar vlerë të shtuar në çdo hallkë të zinxhirit ekonomik.
Është evidente se ekonomia globale tashmë ka një dinamikë multipolare e udhëhequr nga disa superfuqi ekonomike dhe disa ekonomi emergjente. Në këtë kontekst ekonomitë e Ballkanit nuk kanë luksin për t’u angazhuar në gara individuale dhe afatshkurtëra, duke konkurruar me njëri-tjetrin për dominancë tregu apo atraktivitet investimesh të huaja.
Në fakt, strategjia më e zgjuar dhe afatgjatë do të ishte krijimi i sinergjisë mes vendeve tona për të hartuar një palatformë të unifikuar të investimeve strategjike ku i gjithë rajoni të shikohej si një i vetëm për biznesin e koorporatave multinacionale apo për projektet madhore me impakt rajonaI
Projekti TAP padyshim që është një histori suksesi për të gjithë vendet e përfshira në të.
Nga ana tjetër në kontekstin e bashkëpunimit rajonal, mbetet e domosdoshme të përmirësojmë strategjitë tona kombëtare për t’i dhënë rëndësinë e duhur përfundimit në kohë të projekteve kryesore infrastrukturore rajonale, duke përmirësuar interkonektivitetin për të rritur aksesin në tregje dhe ulur kostot e transportit, krijimin e një tregu të përbashkët rajonal në sektorin energjetik, duke ndihmuar në konsolidimin e këtij sektori, diversifikimin e burimeve të tij dhe duke garantuar dhe përmirësuar sigurinë energjetike të rajonit.
Hartimi sa më parë i një paketë të përbashkët projektesh strategjike për të gjithë rajonin, orientimi i eksporteve drejt sektorëve që maksimizojnë vlerën e shtuar si dhe drejt tregjeve më të qendrueshme e të afërta si Gjermania apo Europa e Veriut, krijimit të një tregu të përbashkët të kapitalit privat për të reduktuar kostot e financimit dhe për të garantuar një ndarje më të drejtë të riskut, si dhe harmonizimit të politikave stimuluese për të tërhequr në rajon sa më shumë investime të huaja direkte.
Rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk mund të jetë një proces i mëvetëm dhe i shkëputur nga ai i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ndaj na nevojitet një koordinim i plotë institucional edhe në raport me politikat e zhvillimit. Gjithashtu garantimi i modelit të suksesshëm ekonomik kërkon domosdoshmërisht forcimin e mëtejshëm të stabilitetit politik të gjithë rajonit ndaj duhen shtuar përpjekjet për një zgjidhje sa më shpejt të problemit mes Greqisë dhe Maqedonisë me mundësinë e shkëlqyer të anëtarësimit të saj në NATO apo edhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Këto dy zhvillime pozitive do të ndryshonin terësisht panoramën dhe besueshmërinë e të gjithë rajonit në raport me tregjet më të zhvilluara dhe në raport me investitorët më të interesuar për të investuar në rajon.
Pavarësisht reformave të ndërmarra në më shumë dy dedaka, produktiviteti në ekonomitë tona vazhdon të mbetet relativisht i ulët, ndër të tjera dhe për shkak të nivelit të ulët të integrimit financiar, nivelit të lartë të informalitetit, kostos së lartë të kapitalit, shoqëruar me mungesën e një force punëtore të mirëkualifikuar e të denjë për t’iu përgjigjur dinamikës në përputhje me nevojat e sektorit privat. Sistemi financiar në Shqipëri mbizotërohet terësisht nga sektori bankar, vlera e aseteve të të cilit përbën rreth 95 % të PBB ndërkohë që vlera e aseteve e institucioneve të tjera financiare nuk kalon 10 %. Ndërkohë niveli i kreditimit të sektorit privat në Shqipëri është në nivelin 35% të aseteve të sistemit bankar, mjaft e ulët në krahasim me rajonin ku është 50 %.
Në një ekonomi të tregut të lire, sistemi bankar dhe tregjet e kapitaleve funksionojnë si dy mushkëri të një organizmi. Fatkeqësisht në mungesë të një Burse, ekonomia shqiptare ka operuar në mungesë të njërës prej tyre, pra nën kapacitetin dhe potencialin e saj. Në këto kushte krijimi i tregut të kapitalit privat është një potencial i pashfrytëzuar zhvillimi dhe një domosdoshmëri për stadin e e ri të ekonomisë sonë që duam të arrijmë, sepse ndikon në diversifikimin dhe uljen e kostos së burimeve të financimit për kompanitë dhe në rritjen e eficencës duke rritur konkurrencën në sektorin fianciar. Gjithashtu, është një mundësi e shkëlqyer e investimit financiar edhe për qytetarët tanë. Parakushtet e zhvillimit të këtij tregu kërkojnë zbatimin e politikave makroekonomike që garantojnë stabilitet, një kuadër të plotë ligjor dhe institucional dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme financiare, që në thelb ka besueshmërinë në raport me investitorët individë dhe bizneset.
Duhet të investojmë dhe besojmë fortë te shpirti i jashtëzakonshëm sipërmarrës i rinisë që mbetet ende tejet i pamotivuar si pasojë e barrierave artificiale që vetë ky sistem i ndrydhur dhe i pazhvilluar krijon. Krijimi i një fondi rajonal të kapitalit privat që do të mbështeste sipërmarrje të ndryshme inovatore start-up të të rinjve do të përshpejtonte si integrimin ekonomik ashtu dhe politik të vendeve tona. Duhet të veprojmë më shpejt për të ndalur largimin e të rinjve, sidomos atyre të arsimuar e të kualifikuar të cilët në kushtet e një ofertë të munguar në rajon po largohen duke ndikuar drejtëpërdrejtë në uljen e potencialit të zhvillimit ekonomik të vendeve tona. Padiskutim sfidat me të cilat do të na duhet të përballemi janë të shumëllojshme, por duke punuar sëbashku, ky rrugëtim drejt integrimit të plotë do të jetë më i shpejtë dhe shumë më i suksesshëm. Në përfundim duke i uruar punime të mbara konferencës, shpresoj se ajo do të shërbejë si platformë e ideve konkrete mbi bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe adresimin e sfidave të përbashkëta.
Civici: Rruga drejt BE kalon së pari nga integrimi dhe zhvillimi i rajonit të Ballkanit
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.